
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fillojnë revokimin e vizave për studentët kinezë, përfshirë ata që kanë lidhje me Partinë Komuniste Kineze ose që studiojnë në sektorë kritikë.
Kështu shkroi Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio në rrjetin social X.
Ai shtoi se kriteret do të rishikohen për të rritur shqyrtimin e aplikantëve të ardhshëm për viza nga Kina dhe Hong Kongu.
Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm në muajt e fundit, pasi shpërtheu një luftë tregtare midis dy superfuqive, e shkaktuar nga tarifat e Presidentit amerikan Donald Trump.
Të hënën, Rubio, urdhëroi ambasadat amerikane në të gjithë botën të ndalojnë caktimin e takimeve për viza studentore, ndërsa departamenti i shtetit përgatitet të zgjerojë verifikimin e aplikantëve.
Vlerësimet tregojnë se vitin e kaluar kishte rreth 280.000 studentë kinezë që studionin në SHBA.
Shtetasit kinezë përbënin dikur pjesën më të madhe të studentëve ndërkombëtarë të regjistruar në universitetet amerikane, megjithëse kjo ka ndryshuar kohët e fundit.
Nga kufizimet e epokës së pandemisë deri te përkeqësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve, numri i tyre ka rënë vitet e fundit, sipas të dhënave të departamentit të shtetit të SHBA-së .
Në deklaratën e së mërkurës, Rubio tha: “Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit i SHBA-së do të punojë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të revokuar në mënyrë agresive vizat për studentët kinezë, përfshirë ata që kanë lidhje me Partinë Komuniste Kineze ose që studiojnë në fusha kritike. Ne gjithashtu do të rishikojmë kriteret e vizave për të rritur shqyrtimin e të gjitha aplikimeve të ardhshme për viza nga Republika Popullore e Kinës dhe Hong Kongu.”
Administrata Trump ka ndërmarrë tashmë hapa për të deportuar një sërë studentësh të huaj, ndërsa ka revokuar mijëra viza për të tjerë, edhe pse shumë nga këto veprime janë bllokuar nga gjykatat.
Gjithashtu ka ngrirë qindra miliona dollarë fonde për universitetet. Presidenti i sheh disa nga institucionet më elitare të Amerikës, siç është Harvardi, si shumë liberale dhe i akuzon se kanë dështuar në luftimin e antisemitizmit në kampus.
Shumë universitete amerikane mbështeten te studentët e huaj për një pjesë të konsiderueshme të financimit të tyre pasi këta studiues shpesh paguajnë tarifa më të larta shkollimi.



