Gazetari Ferdinand Dervishi tha për MCN se dosja e fundit e SPAK është më e rënda që është zbardhur deri tani dhe se ajo ka hapur “Kutinë e Pandorës” mbi mënyrën se si paratë e trafikut të drogës janë investuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Sipas Dervishit, hetimet kanë nxjerrë në pah përfshirjen e figurave të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, siç është Artur Shehu, në investime ndërtimore, duke hedhur dritë mbi burimin e financimeve pas bumit të ndërtimeve që është parë vitet e fundit, veçanërisht në Tiranë.
Më tej Dervishi tha se për herë të parë me këtë dosje është parë që një rrjet i vetëm operonte nga Amerika Latine ku kanë laboratorët e drogës, duke vazhduar deri te shitja në Europë dhe në fund investimi në ndërtim duke pastruar paratë.
“Kjo është dosja më e rëndë e shpërthyer nga SPAK që nga dita e ekzistencës së tij, nuk është asgjë përpara kësaj dosje. Me këtë dosje është hapur “Kutia e Pandorës”. Është zbuluar injektimi i parave të drogës në të vetmin vend të Europës që e lejon që të futen këto para dhe të kthehen në ndërtime.
Atë bum ndërtimesh që e kemi parë në Tiranë kjo dosje e vërteton dhe nuk e vërteton me lojtarë anësorë, por me ata që janë në majë të piramidës të trafikut ndërkombëtarë të drogës, siç është Artur Shehu.
Nëse do të vijmë te ajo që thotë Edi Rama se SPAK po heton për pretendentët e tokës në Zvërnec, problemi është që SPAK duke u futur te kjo histori ka vërtetuar që paratë e drogës janë futur në ndërtime dhe Artur Shehu i ka falsifikuar këto prona. Bëhet një pyetje: si shteti e ka lejuar këtë lloj ndërtimi pa e verifikuar burimin e parave?
Të dhënat që kanë dalë nga dosja, dalin te logjika që është hapur “Kutia e Panodrës”. Kjo gjë dihej se investimi në ndërtim ishte paraja e drogës.
Takimi i Arubës për herë të parë shihet që nuk ka elementë të politikes, por biznesmenë dhe vërtetohet që përveç trafikut të drogës, kanë një logjistikë shumë të rëndësishme.
Për herë të parë mësuam që kanë dhe laborator në Amerikë Latine, që do të thotë më i ulët çmimi dhe më i madh fitimi dhe pastrimi i parash bëhej përmes ndërtimit. Orest Sota ka babanë që ka biznese, kjo dosje dyshon që krimi i organizuar pastron para përmes bizneseve të ndershme në Shqipëri.
Orest Sota që ka nga pas babanë me biznes të ndershëm, ka futur paratë dhe është arrestuar. E njëjta gjë është edhe të AKSHI, paratë e Ergys Agasit që i pastronte në ndërtim.
Koçeku është një personazh që në dosje del që paratë i fiton nga krimi i organizuar. Krimit nuk i intereson që ti ketë paratë cash, por ti ketë të investuara ato. Ilir Shtufi është një person që ka marrë përsipër të investojë këto para.
Deri në vitin 2020 kemi patur një marrëveshje ekstradimi të kohës së Zogut që nuk parashikon ekstradimin e shtetasve respektivë, por në 2020 kjo gjë u ndryshua ama pikë së pari i duhet hequr azili politik që ka në SHBA. Duhet bërë një kërkesë zyrtare e Shqipërisë përmes Interpolit, bëhet një gjyq në SHBA dhe më pas merret vula nga Departamenti i Shtetit. Nuk ka asnjë pengesë për të sjellë Artur Shehun në Shqipëri nëse vërtetohet akuza e tij për trafikim narkotikësh.
Lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, dua të them që gjithmonë ka një moment kur shpërthen gjithçka, kur një shtet sado i korruptuar të jetë, ka një moment kur çdo gjë shpërthen. Ajo protestë është më e madhe se çdo protestë tjetër ndonjëherë në Shqipëri. Duhet që politika shqiptare të mendohet mirë për hapat që do të bëjnë më tej.”



