
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, nëpërmjet një statusi në rrjete sociale denoncon kultivimin e lëndëve narkotike në Gjirokastër, Tepelenë dhe Memaliaj, ndërsa thotë se ka mungesë reagimi nga institucionet përkatëse.
Shehu tregon fshatrat ku sipas tij po kultivohet lëndë narkotike, ndërsa shprehet se kjo bëhet si pasojë e premtimeve elektorale të 25 prillit.
Postimi i plotë:
“Policia dhe institucionet përkatëse asnjë reagim, ndërsa premtimi elektoral Kanabis, “gjelbëron” në Qarkun e Gjirokstrës.
Deri tani, as edhe një veprim nuk ka pasur ndaj zonave të kultivuara me kanabis në Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj etj, që unë përmenda pak ditë më parë.
Sot po ju them, kërkoni e veproni edhe rreth fshatrave Borocke, Zavalan, Mican, Kreshove, Gostivisht, Ogren, etj në zonën Përmet-Këlcyrë…në fakt ka shumë të tillë. Vënia në jetë e premtimeve elektorale të Rilindjes i ka mbushur plot rrethinat e tyre.
Grupet kriminale janë në aktivitet të plotë aty, ndërsa edhe fshtarëve që ju premtuan në shkëmbim të votes diku 20, diku 30 rrënjë kanabis pa “haracin” e zakonshëm, sot po u trokasin në derë.
Pak vite më parë u kërkohej t’u paguanin drejtuesve të policisë 10-15 Euro për rrënje. E më tej, jeta e tyre nën terror, se ata që u paguan ruanin provat e kultivimit. Kjo skemë është gati për t’u përsëritur në dimensione të mëdha.
Dhe shteti, policia, institucionet bëjnë sikur nuk shikojnë,….siç duket mbijeton zakoni i vjetër. Në fakt ata u pasuruan dhe u kthyen në të “plotfuqishëm”. Se sa për fshatarët, do zhyten përseri edhe më thellë në mizerje.
Në këto kushte ka vetem një zgjidhje, reagim i gjerë e i plotë i opinionit publik, medias, të gjithë atyre që u dhimbset ky vend, fëmijët tanë, e ardhmja. Nëqoftëse do të bëhemi bashkë, do ta fitojme jo vetëm këtë betejë, por shumë më tepër!”, shkruan ai.



