
Në Konferencën e Donatorëve, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se BE do ta ndihmojë Shqipërinë të përballojë dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Ajo tha se ndihma e Komisionit Evropian për rindërtimin e Shqipërisë do të vazhdojë edhe në javët e muajt në vijim dhe premtoi shumën prej 100 milionë euro nga buxheti i Bashkimit Evropian, përveç 15 milionë eurove që u bën të ditura në dhjetor.
“Kjo është një histori humbje, por edhe një histori heronjsh, një solidaritet mes shqiptarëve dhe evropianëve. Brenda disa orësh, ekipet e shpëtimit mbërritën në Shqipëri. Menjëherë aktivizuam mekanizmin e mbrojtjes civile evropiane. Ekspertët tanë mbërritën në Shqipëri për të vlerësuar dëmtimet. Mijëra shtëpi duhen rindërtuar, shkolla dhe spitale duhen restauruar, biznese janë shkatërruar. Kostoja është vlerësuar 1 mld euro”, tha ajo.
Der Leyen tha më tej se KE do të punojë me Shqipërinë për investimet në terren, në transparencë dhe llogaridhënie.
“Shqipëria e vetme nuk mund ta përballojë këtë barrë. Sot ne i premtojmë popullit shqiptar se jemi aty për një kohë të gjatë, solidariteti do të jetë po aq i forta sa ishte në orët e para pas tërmetit. Askush nuk mund ta plotësojë boshllëkun e atyre që kanë humbur, por ne mund ta ndihmojë Shqipërinë ta fillojë nga e para. Bashkë mund ta bëjmë vendin tuaj më të fortë sesa ishte më parë. Në muajt që do të vijnë do të punojmë së bashku, do të sigurojmë që angazhimet tona të plotësohen plotësisht në kohë dhe që investimet tona të kenë ndikim në terren, në transparencë të plotë dhe llogaridhënie”, tha ajo.
Tërmeti i 26 nëntorit, mblidhet Konferenca e Donatorëve
Sot në Bruksel mbahet Konferenca e Donatorëve, ku pritet të mblidhen fonde për Shqipërinë, e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, që la 51 viktima, qindra të plagosur dhe shumë familje pa strehë.
Në konferencën e organizuar nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, pritet pjesëmarrja e mbi 100 shteteve, por edhe institucioneve si Banka Botërore me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizata të tjera.
Qeveria shqiptare ka përllogaritur se fatura e dëmeve arrin në 985 milionë e 75 mijë euro, ndërsa ajo e rindërtimit rreth 1.08 mld euro.
Peshën më të madhe të dëmeve, rrjedhimisht edhe të rindërtimit, e mban strehimi, me 74.81% të nevojave të rimëkëmbjes dhe total të humbjeve dhe dëmit prej 696 300 milionë euro.
Nga donacionet, sipas të dhënave zyrtare, qeveria ka mbledhur deri më 12 shkurt 2020, 563 580 231 lekë, 9 294 272 euro dhe 1 487 084 dollarë. Në total, afërsisht 15 278 937 euro.



