Dhoma Serbe e Tregtisë dhe Agjencia për  Zhvillim e Serbisë, bashkëpunim me Shqipërinë (VIDEO)

Dhoma Serbe e Tregtisë dhe Agjencia për Zhvillim e Serbisë, bashkëpunim me Shqipërinë (VIDEO)

Mbi 100 kompani serbe prezantojnë produktet e tyre në edicionin e 26-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, “Klik Ekspo Group”. Çdo ditë, 24 kompani të ndryshme paraqesin në stendën serbe produkte të shumëllojshme dhe vendosin kontakte bashkëpunimi me Shqipërinë.

Qindra kompani serbe prezantojnë produktet e tyre në edicionin e 26-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, “Klik Ekspo Group” në mjediset e Pallatit të Koncerteve. Tashmë me një përvojë 16-vjeçare në këtë panair, Serbia prezantohet me një shumëllojshmëri produktesh, ndërsa pjesa më e madhe e bizneseve serbe, pjesëmarrës për herë të parë në këtë ngjarje shprehen se ajo që shpresojnë të arrijnë janë marrëveshjet e bashkëpunimit me Shqipërinë.

MIHAILO VESOVIC, Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Serbisë

“Kjo është stenda kombëtare serbe organizuar nga Dhoma e Tregtisë serbe dhe agjencia jonë për zhvillim. Çfarë është më e rëndësishme është se jemi këtu prezentë për herë të 16-të si stendë kombëtare dhe kjo provon besimin tonë në tregun shqiptar.  Mendoj se së fundi po forcojmë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve tona. Këtu kemi 24 kompani prezente çdo ditë, që nga industria e përpunimit të metalit, te telekomunikacioni, agrikultura, te industria e përpunimit të ushqimit dhe plastika.

Janë kompani të ndryshme dhe me fokus në shumë drejtime, gjë që provon se çdo fushë është interesante. Por veçanërisht prodhimi i ushqimit dhe përpunimi i metalit, mendoj se japin avantazhe për bashkëpunim midis kompanive serbe dhe shqiptare.

Ne besojmë se çdo vit, gjithnjë e më tepër kompani, eksporti dhe importi, nga Shqipëria te Serbia, nga Serbia te Shqipëria mund të bashkëpunojnë. Çfarë mendojme është shumë e rëndësishme është që kompanitë të bashkojnë forcat dhe të punojnë së bashku në projekte të përbashkët, ose të shkojnë së bashku në markete, sepse janë disa pjesë të industrisë ku Serbia ka avantazhe dhe ka pjesë të industrisë ku ka avantazhe Shqipëria. Mendoj se është shumë e rëndësishme kjo nismë rajonale e gjashtë vendeve të Ballkanit për lëvizje të lirë të produkteve, të njerëzve, kapitaleve dhe investimeve. Është shumë e rëndësishme që disa investitorë shqiptarë të vijnë në Serbi dhe që investitorë serbë të vijnë në Shqipëri, ndërsa të dy vendet duhet të shohin së bashku për kompani multikombëtare dhe të jenë lojtarë të mëdhenj në markete të organizuar nga vende të tjera.

Në këto vite që jemi këtu ne jemi dëshmitarë të rritjes së Tiranës dhe ekonomisë këtu. Jam shumë i lumtur të jem i pranishëm në këtë panair, sepse mendoj është një nga eventet më të rëndësishëm në fushën e ekonomisë në Shqipëri.

Ne nuk kemi vetëm 24 kompani pjesëmarrëse në panair: ne kemi më shumë se 50 kompani çdo ditë, që janë të pranishme për të realizuar takime, që organizohen paralelisht me këtë event dhe kjo provon se ka interes të madh  dhe potencial për bashkëpunim më të madh në vitet e ardhshëm.”

UROS STEFANOVIC, Menaxher eksporti, “Bio Panon”

“Jam menaxher i “Bio Panon”, që merret me produkte organike dhe ferma jonë ka vetëm kafshë që ushqehen në mënyrë organike. Kompania jonë është e re, ka filluar të funksionojë në dhjetor të vitit 2018 me këto dy produkte organikë: I pari ka skadencë gjashtëmujore dhe i dyti është një qumësht normal.

Në tregun serb ne operojmë me 20 produkte të ndryshëm: qumësht, kos, kos frutash, gjalp, djathë etj. Ne i tregtojmë produktet tanë në Mal të Zi dhe në Maqedoni dhe jemi shumë të interesuar për Shqipërinë, ku besojmë mund të arrijmë të realizojmë marrëveshje bashkëpunimi gjatë këtyre ditëve të panairit.

Jeni të mirëpritur të vini në fermë dhe në fabrikën tonë.”

ANA GLUSCEVIC, drejtore shitjesh, “Mega Plast”

“Së pari dua të falenderoj të gjithë organizatorët. Ne jemi një kompani nga Serbia, “Mega Plast”, që jemi themeluar në vitin 1979. Ndodhemi për herë të parë në panairin “Klik Ekspo Group” në Tiranë  dhe kemi pritshmëri të mëdha nga ky panair. Ne jemi prodhues në tre fusha kryesore: prodhojmë sende shtëpiakë, lodra plastike për fëmijët dhe gjithashtu pajisje për kopsht, karrige, tavolina dhe vazo lulesh. Në gamën e prodhimeve tona kemi më shumë se njëmijë produkte cilësorë dhe akoma nuk kemi eksportuar ndonjë prej tyre në Tiranë apo Shqipëri, kështu që presim tepër nga ky panair, sepse mendojmë se kemi shumë potencial dhe produkte të shkëlqyera, siç dhe e shihni.

Ne po kërkojmë distributorë dhe po ashtu po kërkojmë edhe hipermarkete dhe supermarkete, agjentë dhe zinxhirë shitjeje. I ftoj të gjithë të vijnë në panair dhe të vizitojnë stendën tonë.”

UROS BRANKOVIC, menaxher reklamash, “Korali”

“Së pari dua të falenderoj Dhomën Serbe të Tregtisë për praninë këtu. Ne jemi kompani që prodhojmë mobilje rruge dhe të tjera pajisje për mbeturinat. Jam këtu për herë të parë.  Është një vend shumë i bukur, me njerëz të bukur dhe njerëzit janë shumë miqësorë ndaj serbëve. Po shohim për distributorë, mbase për komuna apo bashki dhe disa kompani, të cilat do të jenë të interesuara në distribuimin e produkteve tona, sepse ne i prodhojmë këto pajisje në të gjithë botën. Në Europë, në Afrikë dhe në Azi ne kemi distributorët tanë. Në Ballkan, nuk kemi distributorë vetëm në Shqipëri dhe në Rumani, kështu që mendoj kjo është një nga gjërat ku do të përqendrohemi së shumti për t’ia arritur qëllimit në fund të këtij viti. Kjo është hera jonë e parë këtu, por panairi është shumë i mirë dhe ndihem i nderuar të jem këtu si përfaqësues serb.”

GORAN STOJKOVIC, drejtor prodhimi, “Nutriko”

“’Nutriko’ është firmë serbe dhe fabrikë për ushqim kafshësh. Është hera e parë që vij në këtë panair dhe jam shumë i kënaqur me organizimin. Kam shumë pritshmëri nga pjesëmarrja këtu.  Kam ardhur me disa lloj ushqimesh për pula dhe zogj pulash, për lopë dhe derra etj. Kam vendosur disa kontakte këtu dhe së shpejti besoj do të filloj një marrëdhënie bashkëpunimi me Shqipërinë.”

SLAVICA TUZEK GADZUR, kreu i Departamentit të Reklamave, “Hemo Tehna”

“Ne prodhojmë shishe për farmaci, pije alkoolike dhe pesticide etj. Kjo është hera ime e parë në Tiranë dhe në Shqipëri dhe presim klientë të rinj.”

MARKO VERMEZOVIC, menaxher shitjesh me pakicë, “Van Drunen Farms”

“Është hera e parë që jemi këtu. Ne jemi kompani nga Serbia dhe prezantojmë fruta të thatë në disa forma. Ideja është që të gjejmë disa kompani distribucioni këtu në Shqipëri dhe shitës me pakicë, që janë të interesuar për produktet tona. Produktet përbëhen 100 përqind nga frutat, pa sheqer të shtuar dhe pa gluten, etj. Javën e shkuar në Paris fituam çmimin e parë për këtë produkt. Tani shpresojmë të gjejmë partnerë në Shqipëri.|

Panairi “Klik Ekspo Group” ofron stenda të pasura me produkte të sipërmarrjeve të ndryshme nga vendi dhe bota dhe informacione për shërbimet nga agjenci dhe institucione publike dhe private. I çelur më 23 nëntor, panairi do të qëndrojë i hapur deri më 26 nëntor.

 

 

 

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy