Një 24 vjeçar nga Taxhikistani është arrestuar nga Policia në Tiranë pasi dyshohet si anëtar i organizatës terroriste ISIS.
Burimet nga policia thanë se 24-vjeçari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i kërkuar në Gjermani.
Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit “Vizitori”, nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
“24 vjeçari me inicialet K. Z nga Taxhikistani ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS)” informoi sot policia e shtetit.
Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj.
Më 15 prill mediat gjermane informuan operacionin e arrestimit të 5 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik në shtetin e Rhein-Westfalisë për planifikimin e sulmeve terroriste kundër forcave amerikane.
Anëtarët e dyshuar të Shtetit Islamik formuan grupin e tyre terrorist në janar të vitit 2019.
Prokurori tha se anëtarët e Shtetit Islamik ishin në kontakt me udhëheqësit islamikë të nivelit të lartë në Siri dhe Afganistan nga të cilët morën direktiva. Ky grup i Shtetit Islamik planifikoi të sulmonte forcat amerikane në Gjermani, si dhe individë të tjerë.
Pesë personat kishin planifikuar sulme përfshirë bazat ajrore të SHBA-ve dhe kishin porositur tashmë pjesë të bombave në internet, si dhe të grumbullonin armë dhe municione.
Ata planifikuan gjithashtu një atentat për një person që ata besuan se kishte shprehur kritika për islamin në publik, dhe tashmë kishte filluar spiunimin e viktimës thanë prokurorët.
Dy nga të dyshuarit akuzohen gjithashtu se kanë udhëtuar në Shqipëri për të kryer një atentat në këmbim të 40,000 dollarëve. Sidoqoftë, projekti dështoi dhe ata u kthyen në Gjermani, shkruan Reuters.



