Emisioni “Xhadat” trajtoi fenomenin e ushqimeve të pashëndetshme që tregtohen nga ambulantët në shkollat 9-vjeçare të Tiranës.
Në 14 korrik të vitit 2021, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë miratuan rregulloren ( urdhër ) nr. 335 “Për ndalimin e reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë.
Synimi i rregullores ishte që të mbronte shëndetin e mirëqënien e fëmijës dhe për ta realizuar këtë u ngarkuan Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, institucionet në varësi të tyre, strukturat rajonale dhe institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar.
Kjo rregullore do të zbatohej në të gjithë territorin dhe njësia bazë zbatuese e saj është institucioni arsimor, i cili ka për detyrë të sigurojë që nxënësit që ndjekin arsimin bazë nuk janë të ekspozuar ndaj asnjë reklame ushqimesh të pashëndetshme përgjatë kohës së frekuentimit të institucionit arsimor.
Në zbatim të kësaj rregulloreje është e ndaluar që në mjediset e institucioneve arsimore të reklamohen këto ushqime:
-Ëmbëlsira (çokollatë dhe produkte çokollate), biskota, akullore.
-Ushqime të skuqura, si salçiçe të skuqura, kofshë pule, petulla, patatina.
-Ushqime të aromatizuara.
-Pije freskuese, pije të gazuara, pije energjike, etj.
Për të parë se sa është zbatuar ky urdhër, “Xhadat” bëri një vëzhgim në disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës, konkretisht në “Ali Demi”, “Hasan Prishtina”, “Shkolla e Kuqe”, “7 Marsi”, por ajo që u vu re ishin ambulantë të shumtë, të cilët iu ofronin nxënësve ushqime të pashëndetshme tek kangjellat e shkollës.
“Na sjellin tek hekurat sanduiçë, kalcone dhe ne e paguajmë. Mësuesit nuk kanë thënë që s’duhet t’i hamë këto ushqime, as roja, sepse gjithë shkolla merr aty. Janë lokalet dhe fast food-et që nxjerrin ushqime, i shesin me çmime të lira. Na sjellin sanduiça zakonisht, por edhe nëse kërkojmë diçka tjetër na e sjellin, si p.sh patatinë”- u shprehën nxënësit.
“S’po marrim vesh ça po bëhet, po hanë lloj lloj gjërash…jo helmohen, jo me dhimbje barku. Deri tani s’i kanë këshilluar fëmijët që s’duhet t’i hanë këto ushqime. Rrezikohen fëmijët nga këto ushqime të pashëndetshme dhe ushqimin ja bëj gjithmonë me vete. Unë e quaj jashtë ligjit apo anormale këtë që bëjnë ambulantët, por masat ne Shqipëri merren pas 50 vjetëve. Mirë që ka dalë urdhri, por edhe pa urdhrin e Ministrisë nuk është mirë që të tregtojnë ambulantët në shkolla”- shtuan prindërit.
Për të pyetur se çfarë masash janë marrë konkretisht për të zbatuar urdhrin nr.335, “Xhadat” u drejtua pranë Zyrës Vendore Arsimore në Tiranë, nga e cila u bë me dije se:
“Zyra Vendore Arsimore ka shpërndarë urdhrin nr.335, datë 14,07, 2021 në të gjithë institucionet arsimore nën juridiksionin e ZVA-së Tiranë. Të gjithë institucionet arsimore parauniversitare pjesë e ZVA-së Tiranë kanë marrë masat e nevojshme për mospërdorimin dhe reklamimin e ushqimeve të pashëndetshme me përmbajtje të lartë yndyre, acidi yndyror, kripe, natriumi e sheqeri që janë tej normave të lejuara. Brenda rrethimit të institucioneve arsimore nuk ka asnjë dyqan apo shitës që tregton artikuj ushqimorë, ndërsa për shitësit ambulantë që tregtojnë jashtë rrethimeve të institucioneve arsimore shpesh herë drejtuesit e shkollave kanë ngritur shqetësimet e tyre pranë institucioneve të tjera ligjzbatuese si Policia Bashkiake, të cilat kanë edhe kompetencë në lidhje me largimin dhe ndëshkimin e këtyre subjekteve.”
Pra, sipas Zyrës Vendore Arsimore në Tiranë, është kompentencë e Policisë Bashkiake që t’i largojë këto ambulantë, por nga vëzhgimi që kreu “Xhadat” nuk u has asnjë polic për të mbikëqyrur situatën në terren.
Në lidhje me këtë problem “Xhadat” bisedoi edhe me mjeken nutricioniste, Albana Daka, e cila u shpreh se këto ushqime që tregtohen në shkolla e rrezikojnë rëndë shëndetin e fëmijëve.
"Është mirë që ky urdhër ka dal, por nuk e di sa zbatohet në terren. Të gjitha ushqimet fast food, ushqimet e proçesuara, të paketuara përmbajnë konservante, kripë dhe sheqer në sasi shumë të ekzagjeruar. Ndikojnë negativisht në imunitetin e fëmijëve, duke e ulur atë, duke shkaktuar obezitet, alergji ushqimore, fillimi i diabetit në mosha shumë të vogla. Fëmijët marrin metale të rënda nga ushqimet e procesuara, të paketuara nga fast food sepse të gjitha salcat, ushqimet që janë brenda qeseve, apo kutive të paketuara, i nënshtrohen proçesimit dhe shtimit të lëndëve kimike për të ruajtur cilësinë dhe shijen e tyre dhe këto lëndë hyjnë direkt në sistemin tonë duke dhënë probleme në organizëm që në mosha feminore. Kultura ushqimore duhet të fillojë në familje. Prindërve nuk ju kushton më shumë se 5 minuta që të gatuajnë një vakt të shëndetshëm, dhe po të llogaritësh koston e një kruasanti me këtë vakt, ky i fundit kushton më lirë.”



