Në “MCN Live”, avokati Ervin Karanxha ka ngritur një sërë akuzash dhe pretendimesh lidhur me zhvillimet në sistemin e drejtësisë dhe hetimet për disa dosje të rëndësishme, përfshirë edhe atë të AKSHI-t.
Duke folur për proceset e emërimeve në sistemin e drejtësisë, Karanxha pretendoi se në strukturat e apelit dhe të KPA-së janë bërë lëvizje të dyshimta dhe se mungesa e transparencës, sipas tij, tregon probleme serioze në funksionimin e sistemit.
Sipas tij, disa procedura janë zhvilluar pa verifikime të plota dhe pa transparencë publike, ndërsa ngriti edhe pretendime për ndikime politike në ndryshimet ligjore dhe institucionale. Karanxha theksoi se proceset duhet të jenë të hapura dhe të kontrolluara rreptësishtë për të shmangur, siç u shpreh ai, futjen e individëve që nuk plotësojnë kriteret ligjore.
Apeli i vetingut apo KPA, sipas një shkrese të dërguar vite më parë, ka kërkuar ruajtjen e katër vendeve për përfaqësues të tij, gjë që sipas pretendimeve është realizuar dhe përbën shkelje të Kushtetutës.
ë rastin e emërimeve në Apel, përfshirë edhe rastin e Ina Rama, ngrihen dyshime për mungesë verifikimi dhe transparence në proces, duke theksuar se procedurat po zhvillohen pa veting të plotë dhe me vendimmarrje të mbyllura.
Mungesa e transparencës në institucionet e drejtësisë dhe administratës, sipas këtyre pretendimeve, krijon hapësira për shkelje ligjore dhe emërime të kontestuara, ndaj kërkohet verifikim i plotë i të gjitha procedurave dhe kritereve të emërimit.
Karanxha u ndal edhe te dosja e AKSHI-t, për të cilën tha se duhet të jetë prioritet i SPAK-ut. Ai kërkoi verifikime të gjera për të gjithë personat e përfshirë në tendera dhe vendimmarrje, duke pretenduar se ekzistojnë raste të konfliktit të interesit dhe emërime të dyshimta në administratë.
Kanë përfituar vetë, duke përfshirë përfitime financiare në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, dhe kërkohet hetim, duke qenë se kemi të bëjmë me shumë tendera. Mendoj se çdo biznesmen që ka kryer veprime do të pyetet, sepse nuk është normale që një drejtues institucioni të komunikojë me ata që fitojnë tendera; kjo përbën konflikt interesi.
Dosja e AKSHI-t është prioritet i SPAK. Çdo biznesmen që ka marrë tendera do të pyetet. Ergys Agasi është person privat; ikën një, vjen një tjetër. Problemi qëndron te administrata shtetërore, e cila duhet të verifikohet. Daniel Shima ka qenë shofer, është bërë zëvendës dhe duhet parë se si është emëruar në atë post. Zanati i tij bazë është një degë që s’ka lidhje me teknologjinë dhe informacionin, dhe në fund t’i lësh në dorë një shoferi tenderat, kjo është vendosur aty në kundërshtim me ligjin.
Duhet parë edhe deklarimi i Daniel Shimës, sepse po luhet loja “kujt i ngelet derri në dorë”; duhet parë në tërësi dhe jo e shkëputur, duke nisur që nga emërimi i tij, pasi edhe emërimi mund të jetë në kundërshtim me ligjin. Mirlinda Karçanaj me delegimin e firmës, proceduralisht, është tjetër çështje, pasi çështja është nën hetim. Por problemi më i madh është si është emëruar Shima zëvendës dhe si i është lënë puna në dorë, kur ai ka qenë shofer.
Futja e një jokompetenti është problemi kryesor; nga aty nis delegimi i firmës te Daniel Shima. Futja e personave në punë pa meritë dhe në mënyrë të pamerituar duhet verifikuar, sepse një profesionisti i vjen keq për punën. Gjithsesi, lind pyetja: kur Daniel Shima ishte shofer, kush i bënte tenderat? Prandaj duhet hetim dhe duhet parë çfarë ka ndodhur më parë.



