
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, tha se Kosova ka humbur mundësi historike që nuk është përfshirë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Hasani u shpreh se qeveria e Kosovës duhet edhe të angazhohet që në të ardhmen e afërt të mbahet edhe një tjetër mbledhje e Komitetit të Ministrave të KiE-së.
Nga ana tjetër në fjalën e mbajtur në Komitetin e Ministrave në KiE, Hasani theksoi Komiteti duhet të veprojë në bazë të asaj që rekomandon Asambleja Parlamentare e kësaj organizate kërkoi që së shpejti të mbajë një tjetër takim ku do të mirëpritej Kosova si anëtare e re e KiE.
“Komiteti i Ministrave duhet të veprojë i frymëzuar nga thirrja e Asamblesë Parlamentare, e cila pasqyron misionin thelbësor të organizatës tonë, mirëpresim të gjitha shoqëritë dhe njerëzit që u përmbahen vlerave tona. Ndërkohë që Qeveria e Kosovës duhet të përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare dhe të dëgjojë me kujdes mbështetësit e saj më të vendosur. Le të mos humbasim më kohë në korrigjimin e këtij gabimi duke mbajtur së shpejti një tjetër takim të Komitetit të Ministrave dhe të mirëpresim popullin e Kosovës në Këshillin e Europës”, ka thënë ai.
Kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk u fut në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave, pasi s’pranoi të kushtëzohej me asociacionin.



