Tarifa në Rrugën e Kombit mund të anulohet.
Nga pikëpamja juridike, për të mundur koncesionarin, shoqatat ose qytetarët mund të depozitojnë në gjykatë argumentin e mungesës së një rruge alternative kalimi. Shpjegimin e jep për "TemA Tv", juristi Ylli Manjani.
"Si mund ta japësh një rrugë publike në administrim privat, si mund t'i thuash një pjese të popullsisë do paguash lekë për të ardhur në Tiranë. Këtu fillon diskutimi, kjo tani se sa është shuma e lekëve që do paguash, është 5 euro apo është 1 euro, nuk ka fare rëndësi, diskutojmë në parim njëherë, a ka rrugë alternative apo s'ka rrugë alternative, ka rrugë publike ku i sigurohet aksesi njerëzve apo s'ka, dhe nëse ka, kjo rrugë për çfarë u bë? Shiheni se si akumulohen këto probleme, pra duke mos i trajtuar në kohë fillojnë shfryjnë pastaj në fund. E dyta, kur u bë kontrata e koncesionit diskutimi ka qenë, a është e gatshme kjo rrugë për koncesion, sepse duheshin edhe 150 milionë euro për ta mbyllur rrugën, se ajo nuk është rrugë fare", deklaroi Manjani.



