Pallati ku ndodhi shpërthimi pak pas mesditës së sotme në Elbasan, rezulton i pabanueshëm.
Gazetarja Entela Duka raportoi për “MCN Live” se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një pallat pesë katësh ku pas shpërthimit ka zhvendosje të kateve, ndërkohë që familjet kanë mbetur në qiell të hapur.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm viktimë ka mbetur një grua e moshuar 83-vjeçare, ndërkohë që në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë me nusen e djalit dhe nipërit. Djali i saj ka nxituar të shpëtojë fëmijët, por nuk ka arritur dot të shpëtojë të moshuarën.
Ka patur zhytje të pallatit dhe spostim të kateve të sipërme. Ka rënë gjithë struktura e kateve. Gjasat janë që 69-vjeçari të jetë nën rrënoja. Bombolat e gazit të familjeve janë vendosur në pjesën e poshtme të pallatit e cila përdoret si magazinë, çka e largon pistën e bombolës së gazit.
Duhet pritur reagimi i hetuesve, por dyshimet janë se mund të ketë qenë dhe eksploziv për shkak të fuqisë së shpërthimit. Shpërthimi ka qenë aq i fortë sa edhe në banesat fqinje ka pasur çarje të mureve.
Shpërthimi rezulton në katin e tretë ku rezulton i zhdukur 69-vjeçari, ndërkohë që ka qenë aq i fortë sa viktima është shënuar në katin e pestë.
