Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e hetimeve të nisura pas vetëvrasjes së biznesmenit Eugert Lazaj. Hetimet nisën nga ana e organit të akuzës, pasi në banesën e të ndjerit Eugert Lazaj u gjet një pistoletë, tip “Glock” e cila rezultoi se ishte përdorur edhe ngjarjen e vitit 2018 në ish bllok, ku mbeti një i vdekur dhe dy të plagosur.
Pistoleta i përkiste Redi Popeskut, por ky i fundit, në dëshminë e dhënë tek grupi hetimor pretendon se ajo i ka humbur. Pas disa muaj hetimesh të nisura nga prokuroria për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes nuk u vërtetua dot se si arma përfundoi në banesën e biznesmenit, dhe për këtë prokuroria kërkoi pushimin e çështjes doke e dërguar çështjen në gjykatë. Tashmë do jetë gjykata e cila do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e prokurorisë.
Ndërkohë, kujtojmë që 37-vjeçari Eugert Lazaj, u gjet korrikun e vitit të kaluar i vetëvrarë në banesën e tij në Lundër. Ai ishte pronar i një kompleksi luksoz në Maminas, “Adorions Palace”, që ndodhet në hyrje të rrugës për në Gjirin e Lalzit buzë autostradës Tiranë-Durrës.
Që prej vitit 2004, ai ishte pajisur me nënshtetësi gjermane ku jetonte dhe punonte prej shumë vitesh së bashku me familjen e tij.



