
Me rastin e 100-vjetorit të bankingut qendror shqiptar, Banka e Shqipërisë ka emetuar monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925–2025”.
Kjo monedhë ka një vlerë simbolike dhe përfaqëson historinë, rëndësinë dhe trashëgiminë institucionale të Bankës Qendrore, duke përkujtuar një shekull zhvillimesh ekonomike dhe financiare në Shqipëri.
Në njërën anë të monedhës paraqitet logoja zyrtare e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, e rrethuar nga datat historike që shënojnë momentet kyçe të bankingut qendror shqiptar.
Në anën tjetër janë vendosur dy figura simbolike që lidhin fillimin dhe vazhdimësinë e historisë monetare të vendit. Në të majtë, portreti i djalit me veshje popullore të Shqipërisë së Mesme, i njohur nga kartëmonedha e parë shqiptare e vitit 1926.
Në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni, i cili gjendet në kartëmonedhën moderne prej 10 000 lekësh.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo monedhë përkujtimore përfaqëson një homazh ndaj rrugëtimit njëqindvjeçar të institucionit, duke nënvizuar rolin e tij thelbësor në stabilitetin financiar, zhvillimin ekonomik dhe trashëgiminë monetare të vendit.



