Reshjet e dendura të javës së kaluar në kryeqytet shkaktuan përmbytje në mjaft zona. Përmbytje të cilave si rrallëherë nuk u shpëtuan as katet e nëndhshme në bashki dhe bibliotekë. Dyshimet kryesore mbi shkakun e këtyre përmbytjeve u ngritën pikërisht ndaj zbatuesve të projektit për sheshin “Skënderbej”, gjë që është hedhur poshtë nga koordinatori i projektit, Gent Agolli.
“Punimet që janë bërë në shesh në asnjë mënyrë nuk kanë provokuar përmbytjet e kohëve të fundit. Në sistemin e kanalizimit të ujit kemi ndërhyrë shumë pak. Në këtë fazë janë bërë vetëm disa sistemime të tubave për lulishtet, aty ku kemi ndërhyrë në lulishte. Është bërë një sistem që grumbullon ujin dhe e çon në depon qendrore. Kjo është në aspektin e sistemit të kanalizimeve. Këto ndërhyrje që ne kemi bërë vetëm e kanë përmirësuar sistemin e largimit të ujit nga qendra, jo ta kenë përkeqësuar. Janë bërë ndërhyrje të ndryshme nën tokë dhe sipërfaqësore. Por nuk kanë aspak lidhje me përmbytjen e ditëve të fundit”, thotë Agolli.
I pyetur edhe për shkakun e përmbytjeve në bibliotekë, sërish koordinatori i projektit të sheshit “Skënderbej”, Gent Agolli shpjegon se ndërhyrjet kanë qenë sipërfaqësore, çka sipas tij nuk ka asnjë mundësi që ato të kenë shkaktuar vërshimin e ujit.
“Ne kemi punuar në pjesën që ne e quajme bukgarden. Aty kemi bërë trotuarin, por nuk kemi bërë ndërhyrje nëntokësore. Ajo pjesë e librarisë aty ka një interkapet, që pot ë shkoni sot, ai interkapet është i thatë dhe nuk ka pasur evadim uji nga pjesa e lulishtes ku ne kemi punuar. Nuk ka arsye teknike pse të hyjë uni nga ai krah. Unë nuk e di nga ka hyrë uji, sepse po merret një grup tjetër që po e inspekton këtë çështje por jo nga punimet që janë bërë në shesh”, thotë ai.
Që prej 23 qershorit, Biblioteka Kombëtare, institucioni më i madh në vend dedikuar librit, ka shpallur gjendjen e emergjencës. Drejtoresha e bibliotekës, Persida Asllani, kërkoi ekspertizën e Institutit të Ndërtimit në lidhje me shkaqet e përmbytjes.
Sipas Agollit, shkak është sistemi i vjetër i Rrugës së Durrësit dhe prurjet e mëdha nga reshjet e dendura të shiut.
"Nuk janë bërë punimet që të largojnë ujin nga sheshi. Pra, n.q.s. kemi Rrugën e Durrësit, ajo nuk ka një sistem të ri kanalizimesh. Ka vetëm një kanal të vjetër. Ajo duhet bërë rikonstruksion, d.m.th. që të gjithë këto ujëra të vijnë nga Rruga e Dibrës me një tub 1500-sh dhe përfundojnë me një 700-sh. Po ky është një sistem i vjetër, ku nuk ndërhyhet tani. Këto përmbytje janë raste shumë të rralla që ndodhin njëherë në 20 vjet. Reshje të tilla që shkojnë deri 60 cm shi, është një prurje e jashtëzakonshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Tiranë një prurje e tillë", shprehet Agolli.
Për Agollin, ndërhyrja në sistemin e kanalizimeve në Rrugën e Durrësit do të shmangte përsëritjen e situatave të tilla, sikurse ka ndodhur më herët me Rrugën e Dibrës.



