Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se politika në Kosovë duhet të unifikojë qëndrimin në lidhje me asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në studion e MCN TV, Milo tha se opozita duhet të ulet me maxhorancën për të arritur në një emërues të përbashkët.
Shikoj që opozita në Kosova ka një tendencë për të bërë opozitë për hir të opozitës ndaj një çështjeje për të cilën edhe ata janë përgjegjës. Edhe ata kanë nënshkruar marrëveshjet e 2013 dhe 2015. Duhet të ulen dhe të gjejnë një emërues të përbashkët. Nuk është çështje e Albin Kurtit, është çështje e të gjitha partive politike të Kosovës. Duhet të ulen dhe të arrijnë në një emërues të përbashkët për t’u paraqitur para negociatorëve ndërkombëtarë.
Pakoja Ahtisari që atëherë kur është diskutuar është një përjashtim nga e drejta ndërkombëtare. Është një diskriminim pozitiv në trajtimin e minoritetit serb në Kosovë. Këtij minoriteti në atë kohë i janë dhënë të drejta suplementare. Pakoja u hartua me idenë që të shërbente si kompromis që të arrihej në pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk e pranoi, Rusia nuk e mbështeti në Këshillin e Sigurimit, ndaj u shkua te pavarësia e njëanshme.



