
Miliarderi Elon Musk shfaqi një tjetër formë mbështetjeje ndaj partisë të së djathtës ekstreme në Gjermani pasi intervistoi përreth 74 minuta në platformën e tij X lideren e AFD-se Alice Weidel.
Gjatë bisedës ata u ndalën në një sërë çështjesh si emigracioni dhe burokracitë në Gjermani, politikat e energjisë, figura e Adolf Hitler dhe kuptimi i jetës për ta. Musk e nisi bisedën duke e prezantuar Weidel si kandidaten kryesore për drejtimin e Gjermanisë.

Ndërsa kjo e fundit nuk humbi kohë që në nisje të niste me kritikat ndaj ish kancelares Angela Merkel veçanërisht për vendimin e saj për mbylljen e termocentraleve bërthamore të Gjermanisë.
Nuk duhet të jesh shumë i zgjuar për të kuptuar se nuk mund të drejtosh një vend industrial vetëm me erë dhe diell.
Ndërsa emigracionin e lartë në vend Weidel ia faturoi dështimit të politikave të deritanishme të cilat thjesht kanë shpërdorur para me ndihmën ndaj refugjatëve.
Të ndihmosh të huajt që hyjnë në Gjermani, është si të hedhësh para nga dritarja. Sipas statistikave 57% e njerëzve që hyjnë përmes kufijve të Gjermanisë zhdukin pasaportat e tyre për të ngjarë si azilkërkues, një përpjekje kjo për zvogëlimin e rrezikut të dëbimit të menjëhershëm përmes ligjit të migrimit.
Në bisedën me miliarderin Musk, liderja e Alternativës për Gjermaninë po ashtu u ndal edhe tek figura e Adolf Hitler të cilin e përshkroi si një socialist antisemitist. Ndërsa e pyetur nëse kishte ndonjë zgjidhje për konfliktin në Lindjen e Mesme ajo u përgjigj duke thënë se nuk e ka një të tillë por pa vënë në diskutim për asnjë moment mbështetjen e saj për Izraelin.
Bisedës se Musk me drejtuesen e AFD-së gjermane e paraprinë edhe një sërë protestash të cilat u mbajtën në Austri kundër Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë e mandatuar nga presidenti në fillim të javës për formimin e një koalicioni qeverisës.
Mbi 50 mijë njerëz që u mblodhën në Vjenë i kërkuan Partisë Popullore Konservatore që të mos bashkëpunojë me partinë e ekstremit të djathtë që përbën qartazi një kërcënim për të drejtat e njeriut.



