Takimi i 55-të i Forumit Ekonomik Botëror do të zhvillohet javën e ardhshme nga e hëna në të premte në Zvicër, në një sfond gjeopolitik të ndërlikuar, duke adresuar sfida si ndryshimet klimatike, tensionet globale dhe pasiguria ekonomike.
Pjesë e takimit në Davos pavarësisht se përkon me betimin e tij si President i Shteteve të bashkuara të Amerikës, do të jetë edhe Donald Trump, ndonëse vetëm virtualisht dhe pak ditë pas inaugurimit të tij. Pjesëmarrjen e tij e ka konfirmuar vetë drejtuesi i organizatës me seli në Gjenevë, Borge Brende.
Prezenca virtuale e Trump në takimin ku pritet të jenë të pranishëm rreth 3,000 pjesëmarrës nga mbi 130 vende të botës, ndonëse pritet si një sinjal për të kuptuar përparësitë që do të ndjekë administrata e re, shoqërohet edhe me shqetësime për shkak se një nga diskutimet kryesore që do të ngrihet në forum, është ai për ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale.
Trump nga ana e tij, është zotuar publikisht disa herë se do të zhbëjë investimet në energjinë e pastër që administrata Biden i ka dhënë përparësi dhe do të fokusohet në shfrytëzimin e lëndëve djegëse fosile si nafta, gazi dhe qymyri.
Madje Presidenti i zgjedhur ka thënë se do të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për klimën, duke sfiduar kështu të gjitha përpjekjet për të minimizuar efektin në klimë dhe mjedis.
Përpos Trump, pjesë e Forumit do të jetë edhe Ursula Von Der Leyen, presidente e Komisionit Europian e cila ka zgjedhur ditën e martë.
Pjesëmarrës të tjerë të lartë përfshijnë Presidentin e Argjentinës Javier Milei, Presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe Zëvendëskryeministrin kinez Ding Xuexiang.
Organizatorët janë të paqartë nëse në forum do të marrë pjesë edhe Elon Musk, multimiliarderi i cili do të jetë një nga drejtuesit e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, një entitet i ri në administratën Trump.
Pavarësisht gamës së gjerë të diskutimeve, tema kryesore e takimit të këtij viti është "Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, një shenjë e rëndësisë në rritje të teknologjisë në botë, por edhe rreziqet që sjell me vetë Inteligjenca Artificiale.
Të tjera diskutime do të përfshijnë të ardhmen e Sirisë pas rënies së presidentit Bashar al-Assad muajin e kaluar, tregtia globale dhe rritja ekonomike; si dhe luftërat në vende si Ukraina, Sudani.
Në një artikull në New York Times thuhet se Forumi Ekonomik Botëror është kritikuar prej kohësh si një mbledhje gjysmë në hije e elitave botërore për të “thurur planet” e së ardhmes.
Kritikët shpesh argumentojnë se takimi bën që bota në zhvillim të marrë me pak vëmendje sesa fuqitë globale dhe bizneset e mëdha në Perëndim ose shtetet e Gjirit.



