Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi të martën Rusinë se po luan një lojë “të ndyrë politike” lidhur me një shkëmbim të ardhshëm të të burgosurve, të cilin Moska dhe Kievi e akuzojnë njëra-tjetrën për prishje.
“Pala ruse, si zakonisht, po përpiqet të luajë një lojë të ndyrë politike”, tha Zelensky, duke shtuar se nëse Rusia nuk do t’i përmbahej marrëveshjes, kjo do të hidhte shumë dyshime mbi përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund një lufte.
Gjëja e rëndësishme është të kemi një rezultat, të sigurohemi që njerëzit të kthehen në shtëpi. Ne besojmë se shkëmbimet do të vazhdojnë dhe ne do të bëjmë gjithçka për këtë.
Zelensky u zotua të vazhdojë të ushtrojë presion për shkëmbime të të burgosurve me Rusinë dhe tha se çdo dështim nga Moska për t’iu përmbajtur marrëveshjeve mbi çështjet humanitare rrezikon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për t’i dhënë fund luftës.
Komentet e Zelensky-t erdhën një ditë pasi zyrtarët rusë akuzuan Ukrainën për shtyrjen e pacaktuar të një shkëmbimi të ri të të burgosurve. Një zyrtar ukrainas e ka hedhur poshtë tashmë pretendimin rus.
Zelensky tha se Ukraina ende nuk e ka marrë listën e plotë të të burgosurve që do të lirohen sipas marrëveshjeve të arritura në bisedimet në Turqi.
“Nëse rusët nuk i përmbahen marrëveshjeve as për çështjet humanitare, kjo vë në pikëpyetje të madhe të gjitha përpjekjet ndërkombëtare, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara në aspektin e bisedimeve dhe diplomacisë”, paralajmëroi presidenti ukrainas.
Në përfundim të fjalimit të tij, Zelensky u bëri thirrje ukrainasve të jenë veçanërisht të kujdesshëm në lidhje me paralajmërimet për sulme ajrore, pas sulmeve të rënda ajrore ruse të ditëve të fundit.



