
Një mot i paqëndrueshëm do të karakterizojë javën që sapo ka nisur, sipas parashikimeve të IGJEUM.
Meteorologia Anira Gjoni tha për “MCN Live” se gjatë ditëve në vijim priten reshje të dobëta dhe lokale shiu, të cilat do të shfaqen kryesisht në orët e pasdites dhe do të vijojnë deri në fundjavë.
Do të jetë një javë me kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Java ka nisur me mot të kthjellët dhe me diell, por gjatë ditës do të kemi shtim të vranësirave dhe në orët e pasdites reshje të dobëta lokale shiu pothuajse në të gjitha qarqet e vendit.
Mëngjeset do të mbeten kryesisht të kthjellëta, ndërsa pasditet do të karakterizohen nga vranësira dhe reshje të lehta shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sa i përket temperaturave, ato do të vijojnë të mbeten mbi mesataren shumëvjeçare për këtë periudhë të vitit. Megjithatë, nga dita e premte pritet një rënie e lehtë e temperaturave, duke sjellë një freskim të motit.
Për ditën e martë, temperaturat minimale në zonat bregdetare pritet të zbresin deri në 18°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 26°C.
Në zonat e ulëta, temperaturat minimale do të luhaten rreth 19°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 29°C.
Ndërkohë, në zonat malore temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 12°C, ndërsa maksimalet do të ngjiten deri në 24°C.



