Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi sot që masat kufizuese antiCovid do të vijojnë pa afat.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një deklaratë për mediat ka thënë së në ditët në vazhdim do të jenë në fuqi të njëjtat masa ku përfshihet kufizimi i orarit, ndalimet e grumbullimeve dhe vazhdimi i shkollave online e fizikisht.
“Komiteti i Ekspertëve në mbledhjen e zhvilluar pak më parë mori vendimin për t’i vijuar këto masa. Do të vijojnë të jenë të ndaluara mbledhjet me më shumë se 10 persona, do të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjeve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, do të kufizohen baret dhe restorantet. Administrata do të vazhdojë të punojë nga shtëpia. Universitetet do të vazhdojnë online, shkollat do të vazhdojnë mësimin e kombinuar. Të gjitha këto masa do të jenë pa afat. Duhet theksuar që kjo situatë është dinamike, nëse do të rëndohet, mundet të vlerësohet”, tha zëvendësministrja Rakacolli.
Por Rakacolli deklaroi se në varësi të zhvillimit të situatës do të vendosin më pas nëse do të lehtësojnë masat ose jo.
"Ne jemi disa javë larg krishtlindjeve dhe shohim që situata po vijon e njëjtë. Do shohim se si do shkojmë më vonë. Nëse do ndryshojmë për më mirë, nëse qytetarët bashkëpunojnë me autoritetet këto masa do ndryshojnë për mirë. Nëse ato do ndryshojnë për keq atëherë do të qëndrojnë në fuqi", tha Rakacolli.



