Një inspektor i Policisë Pyjore në Bashkinë Ballsh ka rënë në prangat e policisë për kultivim të bimëve narkotike.
Blutë arrestuan inspektorin Meçan Mustaj 49 vjeç pasi dyshohet të ketë mbjellë kanabis në një zonë pyjore të fshatit Drenovë të Mallakastrës.
Policia thotë se “gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Drenovë Mallakaster, në vendin e quajtur “Bregu i Gushës” në një parcelë në pyll, nga shërbimet e policisë u gjetën të kultivuara 80 bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sattiva”.
Për ngjarjen u arrestua dhe kryetari i fshatit Drenovë, Niko Nure 41 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të shtetasit Meçan Mustaj dhe për veprën penale “Moskallëzim i krimit” në ngarkim të shtetasit Niko Nure.



