
Kryeministrja britanike, Theresa May, është dorëzuar para presionit të partisë së saj, duke njoftuar largimin nga detyra më 7 qershor, gjë që i jep fund një periudhe të trazuar 3-vjeçare në krye të qeverisë konservatore.
Në një fjalim të pritshëm para selisë së qeverisë britanike, May tha se do të largohet nga detyra "pa vullnet të keq, por me mirënjohje të madhe dhe të përhershme".
Ajo listoi disa preja tyre që i konsideron arritje të qeverisë së saj, duke përfshirë punën për uljen e deficitit, uljen e papunësisë dhe rritjen e fondeve për shëndetin mendor.
Megjithatë, nuk e fshehu keqardhjen për moçuarjen në fund të procesit Brexit. "E shoh me keqardhje faktin që nuk arrita ta përfundoj Brexit-in".
Njoftimi i dorëheqjes së Theresa May-t erdhi pas një takimi me Graham Brady, kryetar i Komitetit 1922, i përgatitur të iniciojë një votë të dytë mosbesimi ndaj kryeministres, nëse ajo nuk pranonte të dorëhiqej.
Fati i May-t në krye të qeverisë u vulos pasi një "marrëveshje e re Brexit" me 10 pika, e prezantuar të martën, zemëroi kundërshtarët e konservatorëve, por edhe shumë të tjerë brenda kabinetit të saj.



