
Shkëlzen Brahaj nga Kukësi, është ish-efektiv i RENEA-s, i pasionuar veçmas pas figurave kombëtare.
I veshur si heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe i hipur mbi një kalë, Shkëlzen Brahaj, udhëhoqi Paradën e Shqiptarëve në Tiranë, në 111-vjetorin e Pavarësisë.
Në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ai rrëfeu se rruga prej një ish-ushtaraku e brumosi me dashurinë për figurat kombëtare dhe se patriotizmi duhet të jetë në zemër.
Patriotizmi është në zemër, të rrinë aty, nuk është se ka shpjegim.
Kur kam bërë personazhin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, meqë unë atë e kam idhull, mbi kalë është dyfish krenari, detyrim dhe vlerë.
Ideja ime ishte që heronjve tanë kombëtar ti japim një imazh serioz, që nga kostumi, përkrenarja, të gjitha ishin të projektuara nga unë vetë.
Jeta e një ish-ushtaraku detyrimisht të fut në ato mendime për të qenë sa më kreativ, të kërkosh në stilin e luftës si ka qenë më përpara dhe si është jeta sot.
Brahaj thotë se e zgjodhi këtë rrugë, si një mesazh veçmas për rininë.
Sipas tij, brezi i ri po humbet dita-ditës patriotizmin dhe se figurat kombëtare duhet të nderohen çdoherë.
Unë me ketë dua të jap mesazh rinisë, sepse jeta më ka bërë të lëviz në çdo cep të Shqipërisë dhe kam parë që brezi i ri ka filluar të humbas patriotizmin, është vërtetë për të ardhur keq.
Ne jemi njerëz që kemi sharë figurat tona kombëtare, dhe e vuaj shumë ketë pjese. Prandaj dua që përmes këtyre figurave kombëtare të nxis dëshirën për ti dashur dhe respektuar tërë jetën tonë ata.



