Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu tha që këtë sezon janë marrë masat për përballimin e zjarreve, ndonëse pranoi se ky është një problem që shpesh e vë në vështirësi bashkinë. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Ndreu tha niveli i shtimit të turistëve të huaj këtë vit është 33-40 për qind më shumë. Ai shtoi se 400 apartamente janë blerë vetëm nga turistët e huaj, dhe 800 nga shqiptarët e Kosovës. Sa i takon problematikës së trafikut, Ndreu tha se po bëhet një dalje tjetër nga Shëngjini, që mund të aksesohet që prej 1 korrikut.

Duke folur mbi situatën e zjarreve, Ndreu tha:
"Bazuar nga përvoja, nga vitet e tjera, është problem, është një problem që shpesh herë na vë në vështirësi, për shkak edhe të zjarreve të shpeshta, papërgjegjshmërisë së banoreve që ndezin zjarre vend e pa vend, terrenit të vështirë, pamundësisë së mjeteve për të hyrë në disa terrene. Ne jemi munduar që marrja e masave të para të jenë të shpeshta, dhe në shumë raste e kemi arritur me sukses, duke bashkëpunuar me njësitë administrative, kryepleqtë, banorët, por gjithsesi ngelet një problem serioz, dhe duhet të gjejmë mënyra më efikase për luftën ndaj zjarreve, si për masat parandaluese, ashtu edhe menaxhimin e situatave që mund të ndodhin”.
Lidhur me masat e marra për këtë sezon veror dhe pritshmëritë, Ndreu u shpreh:
"Ne si çdo vit marrim masat tona. Bëjmë takime me operatorët turistikë, për të rakorduar së bashku masat që do merren. Është krijuar një përvojë, një mënyrë menaxhimi efikase, që ka dhënë produktin e vet pozitiv, sa i takon menaxhimit të plazheve, vendosjen e gjërave në vendin e vet. Jemi në një histori të re te bumit turistik, dhe natyrisht kemi edhe frikën tonë sa do të jemi të zotë t’ia dalim. Shtimi është 33-40 për qind, nga 1 janari deri më sot, ka një rritje të madhe. 400 apartamente janë blerë nga të huajt, 800 nga shqiptarët e Kosovës, Shëngjini dhe Tale kanë marrë vëmendje të madhe. Ngelemi në nivele të larta pastërtie, menaxhimi. Ka disa probleme me ujin që do administrojmë vitin tjetër. Kishim problem dritat dhe 20 kilovotshi është instaluar tashmë, është investuar nga OSHEE. Kemi problem trafikun, po bëjmë një dalje tjetër nga Shëngjini dhe besoj nga 1 korriku do jetë e aksesushme. Po punohet për Shëngjin-Velipojën. Na është thënë se do hapet Milot-Balldren këtë muaj, dhe atëherë Lezha do jetë një histori tjetër, bashkë me Thumanën, që ka qenë gangrena jonë për lidhjen e Lezhës me Shqipërinë qendrore. Gjithçka monitorohet me grupe pune, me akse rrugësh. Të gjitha drejtoritë janë në monitorim. Pjesës publike i kemi dedikuar më shumë se 30 për qind. Sivjet kemi vendosur tabela më të mëdha, më të dukshme. Turizmi kulinar në Lezhë është në nivele të jashtëzakonshme. Ka restorante që kalojnë 100 mijë në vit. Mendoj që Lezha brenda 2-3 viteve do jetë një histori e jashtëzakonshme. Nuk më rezulton të ketë ulje të pushuesve nga Kosova. 65 për qind e klientelës janë shqiptarët e Kosovës, janë klientela më besnike dhe më e mirë që kemi. Te ne polakët e kanë kurorën, ka gjerman, francezë, dhe 41 italianë që kanë blerë apartamente. Kemi një zyrë infopoint në qendër të Shëngjinit, me të gjitha të dhënat e nevojshme”.



