Arrestohen vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, të akuzuar si autorë të grabitjes në Rinas të datës 9 prill 2019. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila deklaroi se në operacionin e kapjes së tyre u angazhuan rreth 300 forca policore.
"Vëllezërit, të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit" informoi Policia e Shtetit.
Ky operacion u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Elbasan.
Policia tha se dy të arrestuarve, iu sekuestruan armë zjarri, sasi të mëdha vlerash monetare dhe automjete.
Kush janë vëllezërit Çala?
Klement dhe Eldi Çala janë dy vëllezërit e shpallur në kërkim për grabitjen e 10 milionë eurove në Rinas, së bashku me Talo Çelën, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.
Ndaj tyre Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar në mungesë masën “arrest me burg” për akuzat “Vrasja e punonjësit të Policisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë kryer në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Për arrestimin e tyre, Policia e shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion me qëllim kapjen e tyre.
Në muajin korrik, Çalajve iu bllokua pasuria prej 500 mijë euro.



