Sot shënohen 35 vite nga Lëvizja e Dhjetorit ’90, që solli nisjen e rrëzimit të regjimit komunist dhe vendosi shinat e pluralizmit politik. Në studion e MCN Informacion, diskutimi u përqendrua te Partia Demokratike dhe gjendja e opozitës sot.
Brunilda Haxhiu, deputete e Partisë së Lirisë, Mariglen Kume, gazetar, dhe Ruel Domi, analist, politolog, u ndalën në mënyrë të veçantë te lëvizja e Ervin Salianjit.
Ruel Domi
Salianji kërkon kryesimin e PD. Ka rival vetëm Alimehmetin, por është pozicionuar qartësisht si lideri i lëvizjes. Por sa do t’ia arrijë mjafton të shohim historinë e rebelimeve brenda PD. Janë shtypur shumë të tilla. Ajo parti nuk u ka dhënë mundësinë dhe nuk u ka plotësuar kushtet. Shanset e Salianjit janë të ulëta, për të qenë optimist. Berisha ka krijuar një grup parlamentar me luajalistë të tij. Pra e ka menduar se pas humbjes duhet ta ketë grupin parlamentar në krahun e tij. Flitet shpesh nga PD si të rrëzojmë Ramën. Ajo që opozita duhet të bëjë është të ofrojë një alternativë që shqiptarët e mbështesin. Por në momentin që flitet largimi i Ramës për të kthyer Berishën, njerëzit nuk e përkrahin. Shija që opozita lë te publiku është gjë e vjetër, gjë e mykur. Edhe elektorati këtë stad psikologjik ka. Do të jetojë të ardhmen por nuk do të kthehet te e shkuara.
Mariglen Kume
Zoti Berisha ka 450 mijë vota dhe shumicën e anëtarësisë së PD. Në ndryshim nga Salianji, Berisha po bën më shumë foltore. Në këtë aspekt, të gjitha kalkulimet dhe analizat të çojnë në përfundimin se është e vështirë të ketë një triumf të Salianjit. Por mund të ketë një pozicion në PD për të çuar përpara politikën e tij. Sepse ai e ka thënë që nuk do të ketë aksion.
Brunilda Haxhiu
Strukturat tona ne i kemi rifreskuar, janë njerëz që kanë dëshirë të angazhohen, zëra kritikë. Nuk kemi pasur raste të përjashtimeve. Objektivat janë të shumtë, njësoj si pesë prioritetet. Një vëmendje të veçantë ka përfaqësimi i komunitetit. Sado mirë të artikulojmë ne në Parlament, nëse nuk bëhemi zëri i qytetarëve e kemi të vështirë ta mbajmë.



