Të bësh pica është art dhe profesioni i vjetër i picierit është tashmë një trashëgimi e njohur e njerëzimit. Si e tillë, pica është njohur edhe nga këshilli i UNESCO-s, i cili është mbledhur mbrëmë në Jeju, Kore e Jugut.
Italianët kishin mbledhur 2 milionë firma për t’i propozuar UNESCO-s njohjen e picës si trashëgimi botërore. Komiteti i UNESCO-s i ka kënaqur pritshmëritë e italianëve, duke e votuar propozimin e tyre në unanimitet.
“Urime Italisë”, thuhet në llogarinë e UNESCO-s në Tuiter, ku njoftohej futja e artit të picave napolitane në listën e trashëgimive kulturore të njerëzimit.
Për UNESCO-n, “njohuritë në kuzhinë që lidhen me prodhimin e picës, që përfshijnë gjeste, këngë, shprehje vizuale, zhargon lokal, shkathtësinë për të trajtuar brumin dhe performancën me të përbëjnë një trashëgimi kulturore të padiskutueshme.
Picierët dhe ata që shijojnë gatimin e tyre përfshihen në një rit social, skena e të cilit janë tavolina e punës dhe furra gjatë prodhimit të picës.
E lindur në lagjet e varfra të Napolit, tradita kulinare është rrënjosur thellë në jetën e përditshme të komunitetit. / La Repubblica /



