Ligji i ri ndaj dhunës në familje, hyn në fuqi ditën e sotme. Ata që duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj këtij ligji, janë të gjithë ata meshkuj që ushtrojnë dhunë ndaj femrave. Nëse dikush ushtron dhunë fizike apo psikologjike ndaj pjesëtarëve të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa, të paktën, kështu e parashikon ligji i ri, i miratuar së fundmi kundër dhunës në familje.
Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen duke filluar nga data 18 nëntor 2020. Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet ta dëbojë menjëherë dhunuesin nga banesa, menjëherë sapo në komisariat depozitohet kallëzimi nga pala e dhunuar. Ndërsa, kujtojmë që më herët, duhet të pritej vendimi i gjykatës nëse gruaja e dhunuar “e meritonte” apo jo urdhrin e mbrojtjes.
Sakaq, burrat që do të dëbohen nga banesa, parashikohen të strehohen nga bashkitë. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa.



