Analistja Anduena Llabani, për atentatin me katër të vrarë në Shkodër, thotë se polica është e bindur se personi që shfaqet i shokuar dhe me gjak në trup duke dalë nga makina, është Ibrahim Lici, një person i shumëkërkuar.
Llabani deklaroi për “MCN Live”, se makina është ndjekur nga autorët deri në pikën kur është qëlluar makina dhe automjeti, mendohet se ka qenë në sediljen e pasme të mjetit.
Vetëm pas përplasjes me motorin, nga kamera amatore që ka filmuar ngjarjen rezulton se ka dalë nga makina dhe është mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Ka informacione se Ibrahim Lici ka tre plumba në shpatull. Nuk dihet se ku e ka marrë ndihmën e shpejtë në Vlorë, në Shkodër apo ku.
Ka indicie se mund të jetë zhvendosur në qytetin e Vlorës. Është një indicie në Policinë e Shtetit.
Ibrahim Lici është njeriu që ka qenë nga personazhet mbi të cilin rëndojnë një sërë veprash kriminale, një nga “të fortët”.
Në Shkodër thonë se për 40 ditë pritet të ndodhin ngjarje të tjera.
Të dielën shkoi në katër numri i viktimave të atentatit të ndodhur në 30 tetor në Shkodër, pasi humbi jetën Bashkim Basha, 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët gjetën vdekjen nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Në atentatin me breshëri kallashnikovi, mbeti i vrarë Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, e cila po udhëtonte me biçikletë me të shoqin Bashkim Basha, i cili mbeti i plagosur rëndë.
Çifti i bashkëshortëve u mor përpara në makinën në të cilën ndodhej Lici dhe i plagosur mbeti Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati i Lulzim Bashës për Bashkinë e Shkodrës, i cili humbi jetën në spital.
Ibrahim Lici është një person i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare i akuzuar për një sërë vrasjesh në Shkodër.
Për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, policia tha se nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati, u gjetën 3 armë zjarri pistoleta.
Ndërkohë shërbimet e policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe dy armë zjarri automatike.



