
Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, Fatmir Bejon dhe Klajdi Cerrin, si të përfshirë në konfliktin e dhunshëm të orëve të para të së martës në ambientet e një lokali nate në Palasë.
Më herët policia ka shpallur në kërkim Genti Balecin dhe Xhoni Spahon.
Ata dyshohet se kanë dhunuar dy persona, pasi janë konfliktuar në një lokal në resortin Gren Kost në Palasë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë/Informacion shtesë
Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se:
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.
Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve:
F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.



