14 persona humbën jetën këtë të premte, më 4 tetor në Bosnjë pas përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e dendur.
“Deri më tani kemi gjetur 14 trupa në zonën e Jabllanicës. Fatkeqësisht, ekziston një rrezik i madh që ky të mos jetë vlerësimi përfundimtar", tha për AFP-në Darko Jukan, zëdhënës i qeverisë për këtë rajon që shtrihet në Bosnjën qendrore dhe jugore.
Shirat e dendur në Bosnjën qendrore gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të mëdha dheu, veçanërisht në Jabllanicë, rreth 70 km në jugperëndim të Sarajevës.
Në Kiseljak, rreth njëzet km në jugperëndim të Sarajevës, disa shtëpi, makina dhe kopshte janë nën ujë, vunë në dukje gazetarët e AFP.
Sipas Administratës Federale të Mbrojtjes Civile, një pjesë e madhe e popullsisë është në rrezik për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Zjarrfikësit, policia dhe shërbimet publike janë mobilizuar, por nevojitet ndihmë shtesë për të kontrolluar situatën dhe për të zbutur pasojat e stuhive dhe reshjeve, tha mbrojtja civile mëngjesin e sotëm.



