
Një stuhi ka goditur pjesën Veri-Perëndimore të SHBA-ve dhe Kanadasë, duke sjellë erëra të forta, përmbytje dhe borë për mbi 7 milionë banorë që jetojnë në shtetet përgjatë Oqeanit Paqësor.
Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të shumta të energjisë elektrike për qindra mijëra amerikanë dhe erërat e forta kanë rrëzuar pemë. Të paktën një person, një grua pranë Seattle, raportohet të ketë humbur jetën.
"Cikloni i bombës", siç e quajnë sinoptikanët, ka çuar në ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e erërave të forta. Të mërkurën në mëngjes, më shumë se 600,000 shtëpi në Uashington ishin pa energji elektrike, sipas poweroutage.us. Rreth 15,000 klientë po përjetonin ndërprerje në Kaliforni. Disa shkolla në Uashington pritet të mbyllen ose të përballen me ndërprerje.
Në Kaliforninë veriore, Qendra Amerikane e Parashikimit të Motit (WPC) tha se ekzistonte një rrezik i lartë i reshjeve të tepërta dhe paralajmëroi për përmbytje të shpejta dhe rrëshqitje dheu. Gjiri i San Franciskos pritet të ketë deri në 20 cm shi.
Stuhia është shtrirë edhe në Kanada, ku era është shqetësimi kryesor dhe shpërthime deri në 100 mph (160 km/h) janë raportuar në brigjet e ishullit Vancouver.



