
Me anë të një letre të hapur, kryediplomati i Bosnje dhe Hercegovinës Elmedin Konakoviq ka akuzuar zyrtarin e lartë të Bashkimit Evropian, komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi Oliver Varheili se po mban anën e Serbisë kundër rezolutës në OKB për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Jeni bashkuar publikisht me propagandën e turpshme të presidentit të Serbisë. Më shqetësojnë deklaratat tuaja publike ku insinuoni faj kolektiv për mbarë popullin, duke perifrazuar fjalët e Aleksandër Vuçiçit. Teza se miratimi i rezolutës do të destabilizojë rajonin mund të mbrohet vetëm nga ata që mohojnë gjenocidin.
Ky reagim i kryediplomatit boshnjak erdhi pas takimit që zhvilloi këtë javë në Beograd, komisioneri Varheili me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Unë nuk pajtohem me dënimin kolektiv. Ai asnjëherë nuk ka qenë pjesë e vlerave tona, as nuk do të jetë. Stigmatizimi i popullit serb nuk është zgjidhje e qëndrueshme. Kjo nuk kontribuon për tejkalimin e të gjitha tmerreve të luftërave në Ballkan. Ne duhet t’i përkujtojmë viktimat në Srebrenicë, por nuk duhet të flasim për faj kolektiv të një kombi.
Rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë është hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, ndërsa ka marrë mbështetje nga shumë vende në Perëndim dhe Organizata e vendeve islamike. Rusia dhe Serbia janë duke lobuar kundër kalimit të kësaj rezolute në OKB.
Sipas medieve gjermane që është hartuese e rezolutës, në asnjë rast nuk përmendet faji kolektiv për masakrën e Srebrenicës, por ndalimi i nderimit të personave që kryen atë gjenocid.
OKB-ja njofton se votimi për rezolutën do të kryhet më 23 maj. Drafti përfundimtar i rezolutës përcakton 11 korrikun si "Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrencë", kur u ekzekutuan 8 mijë burra myslimanë boshnjakë nga forcat ushtarake dhe paraushtarake të ushtrisë serbe të Bosnjës.



