Donald Trump pas çdo bisede telefonike me liderin e Ukrainës dhe Rusisë ka bërë me dije se çdo gjë po shkon mirë për të shkuar drejt një zgjidhjeje me qëllim armëpushimin, por në fakt rezultatet dhe ofensiva në terren ka treguar se palët nuk kanë vullnet për marrëveshje dhe nuk janë dakord për asnjë prej termave të propozuar nga një palë e tretë.
Donald Trump, optimisti i vetëm në konfliktin aktual në Europë
Telefonata 90 minutëshe mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, disa ditë më parë, u interpretua si shenjë e një marrëveshjeje definitive për paqen në Ukrainë. Dhe në të vërtetë të dyja palët, qoftë SHBA, qoftë Rusia kanë folur në parim për një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Mirëpo menjëherë pas komunikimit të nivelit të lartë, fjala më e përdorur ishte Armëpushim dhe kufizim i sulmeve ndaj impianteve energjetike. Edhe ky përmes kanaleve mediatike dhe pa një njoftim të qartë zyrtar së çarë parashikonte konkretisht.
Të dyja, pra si paqja, ashtu edhe armëpushimi janë përgënjeshtruar nga zhvillimet në terren. Vetëm dje u raportua se stacioni i gazit në Sudzhas u hodh në erë. Stacioni është rubineti kryesor i gazit rus drejt Europës dhe mbi këtë incident pala ruse ka njoftuar se ka nisur një hetim duke e cilësuar ata si një provokim të Ukrainës përkundrejt nismës së Donald Trump për Paqen.
Kështu konflikti në Ukrainë ka konfirmuar atë që ndodh përherë kur palët nuk kanë vullnet për marrëveshje dhe nuk janë dakord për asnjë prej termave të propozuar nga një palë e tretë: veprimet në terren për të cilat askush nuk pranon përgjegjësinë, zhbëjnë pretendimet verbale dhe e zhvlerësojnë diplomacinë nga një mjet paqeje apo marrëveshjeje në një element taktik për të fituar kohë.
Aktualisht për paqen po flet vetëm presidenti amerikan Donald Trump. Ose më saktë ai ka mbetur optimisti i fundit. I pyetur të premten ai u shpreh madje se konturet e marrëveshjes së ardhshme mbi Ukrainën tanimë janë përcaktuar pas bisedës së tij me Putin.
“Kam patur diskutime shumë të mira, siç e dini edhe me presidentin Zelenskiy ashtu edhe me presidentin Putin. Jam marrë vesh shumë mirë me të dy xhentëllmenët dhe mendoj se kemi kufijtë e një marrëveshjeje. Unë shpresoj se i kemi.
Vetë Trump ngjan të jetë megjithatë më i pasigurtë se më parë për atë që po ndodh nisur nga gjuha e përdorur. Dhe ka arsye. Përveç sulmit në Sudzha dhe qëndrimeve të qarta europiane pro mbështetjes së Ukrainës, ka disa çështje shumë të ndjeshme. P.sh vetëm sot mund të thuhet se Rusia ka pastruar rajonin e Kurskut nga trupat ukrainase, një zhvillim ky që përmirëson ndjeshëm pozitën e saj negociuese. Askush nuk e di se çfarë mund të kërkojë Kremlini në vijim.
“The Moscow Times” shton madje se presidenti Putin ka informuar biznesmenët kryesorë rusë në një takim me dyer të mbyllura se ata nuk duhet të presin së afërmi një marrëveshje paqeje me Ukrainën, referuar kjo raportimeve të gazetares Farida Rustamova.
“Presidenti na këshilloi të mos jemi naivë dhe të kuptojmë sesa shumë njerëz dhe interesa janë përfshirë në proceset që po zhvillohen. Kjo makinë lufte, përfshirë sanksionet nuk do të jetë e lehtë të kthehet”, citon gazetarja në fjalë biznesmenë rusë që morën pjesë kongresin vjetor të Unionit rus të sipërmarrësve dhe industrialistëve.
Kompleksitetin e zhvillimeve e ka pranuar edhe i Dërguari Special i Donald Trump, Steve Witkoff sipas të cilit çështja kyçe në këtë konflikt është statusi i rajoneve të marra nga Rusia.
“Mendoj se çështja kryesore në konflikt janë këto të ashtuquajturat katër rajone. Donabass, Krimea, ju e dini emrin Lugansk dhe dy të tjerë. Ata janë rusishtfolës. Po, ka patur referendum në të cilat shumica kanë dëshmuar se duan të jenë nën qeverisjen ruse. Kjo e para dhe kur të rregullohet kjo dhe ne kemi patur biseda shumë të mira. Ka çështje kushtetuese në Ukrainë se çfarë mund të lëshojnë. Rusët kontrollojnë de facto këto territore. Çështja është: a do t’i njohë bota ato si territore ruse?”, është shprehur Witkoff në një intervistë të Tucker Carlson.
Këto janë pyetje shumë të vështira në të vërtetë, ndaj si Putin, ashtu edhe Zelenskiy do të preferonin t’ia linin armëve përgjigjen.
I pari sepse nuk mund të ruajë diçka nga autoriteti i vet nëse merr disa rajone me marrëveshje pas 3 apo 4 vitesh luftë, i dyti sepse nuk ka asnjë instrument të imagjinueshëm që të justifikojë lëshimin e territorit pas kaq sakrificash. Dhe përgjigja e armëve po ndodh.
Kremlini do të vazhdojë të kërkojë përfitime territorial në Ukrainë teksa forcat ruse nuk po kanë më kohë të stacionohen në llogore shkruan Gazeta “Komersant” dhe kjo është në fakt interesi që bashkon në mënyrë dramatike Ukrainën me Rusinë sot për sot.



