
Ministria e Shëndetësisë raportoi sot ulje të rasteve të reja, por 5 vdekje nga COVID-19. Në njoftimin e saj të përditshëm, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1,273 testime nga të cilët 36 qytetarë kanë rezulrtuar pozitivë dhe 5 persona kanë humbur jetën.
Qytetarët pozitivë janë regjistruar në këto bashki: 16 në Tiranë, 3 në Mirditë, Gjirokastër, 2 në Durrës, Lushnje, Vlorë, Delvinë, 1 në Pukë, Kukës, Fier, Mallakastër, Pogradec, Gramsh.
Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka pesë humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Saranda 63 vjeç, një qytetar nga Berati 67 vjeç, një qytetar nga Durrësi 68 vjeç, dy qytetarë nga Tirana 72-78 vjeç.
Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 51 pacientë, nga të cilët 7 janë në gjendje më të rënduar. Janë shëruar 313 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 265,588 që nga fillimi i epidemisë. Janë 2,506 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku.
MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar me dy doza, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqëndruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
Nëse dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.



