
Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani, ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të presidentit Meta për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në një reagim të shpërndarë për mediat, Dvorani e cilëson tërësisht të papërshtatshëm në aspektin institucional dhe etik, qëndrimin, sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga Presidenti i Republikës, në raport me vendin, dinjitetin dhe prestigjin që i cakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson se ka ezauruar të gjitha procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për të gjitha vendet vakante. Cilido autoritet tjetër, përfshirë organet e emërtesës, kanë detyrimin të respektojnë vendimet e KED në këtë proces. Prandaj, ato janë të detyruar t’u përmbahen listave të publikuara për sa i takon renditjes dhe përbërjes së tyre, në këtë rast të dërguara Presidentit dhe Kuvendit”, thuhet në reagimin e Dvoranit.
Duke iu referuar nenit 179, pika 2 e Kushtetutës, Dvorani shprehet se kjo dispozitë parashikon radhën për vakancën që duhet të plotesojë Presidenti, vakancën që duhet të plotësojë Kuvendi dhe vakancën që duhet të plotësojë Gjykata e Lartë.
“Prandaj, në kushtet kur sipas nenit 125 të Kushtetutës ka tre organe emërtese, neni 179 pika 2 e saj, e akoma më konkretisht dhe hollësisht neni 86 i ligjit nr.8577/2000, kanë përcaktuar vetëm radhën se kur secili organ emërtese ka të drejtën dhe detyrimin të shpallë vakancën, të dërgojë pranë KED listën e kandidatëve dhe të ushtrojë ose jo, brenda 30 ditëve nga paraqitja e Listës së KED, të drejtën e përzgjedhjen së kandidatit, vetëm ndërmjet tre emrave të renditur të parët në Listën e KED”, argumenton Dvorani.
Sipas tij, një nga motivet për të cilat me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 u sanksionua në Kushtetutë kjo procedurë dhe ndarje kompetencash kushtetuese, ishte edhe heqja nga duart, interesat dhe humoret politike apo të çfarëdo natyre të institucioneve e mëparshme të emërtesës, pra nga Presidenti dhe Kuvendi, të lirisë për të përzgjedhur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas qasjeve të tyre individuale apo të grupimeve të ndryshme të interesit që i përbënin apo i lidhnin interesat me këto organe.
Dvorani e konsideron të përfunduar emërimin në Kushtetuese të kandidates Arta Vorpsi. Duke iu referuar ligjit, KED argumenton se, në rastin kur organi i emërtesës nuk arrin të zgjedhë apo nuk e ushtron të drejtën e zgjedhjes brenda afatit të përcaktuar, atëherë vendimi i KED për listën e renditjes së kandidatëve ka efekt të menjëhershëm ex legge, të njëjtë me dekretin e Presidentit, vendimin e Kuvendit apo vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. “E njëjta vlerë dhe efekt duhet t’i njihet edhe Vendimit me nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku kandidatja e renditur e para në Listën Përfundimtare, znj. Arta Vorpsi, konsiderohet e emëruar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Dvorani.



