Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku po diskutohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës, prokurori Arben Kraja deklaroi se kërkohet autorizim për zëvendësimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, në “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, sipas Kodit të Procedurës Penale.
Prokurori i SPAK deklaroi se ish-Kryeministri Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim”, vepër për të cilën rrezikon që të dënohet me burg nga 4 deri në 12 vite burg.
Zoti Berisha ka firmosur VKM në favor të pesë familjeve bashkëpronare.
Nga hetimet vlerësohet se është krijuar dyshimi se Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, ka kryer veprime konkrete aktive me qëllim përshtatjen e ligjeve, ku përfitues ishte edhe bashkëshorti i vajzës së tij Jamarbër Malltezi.
GJKKO ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar masat e sigurimit personal.
Zoti Berisha nuk e ka zbatuar asnjëherë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur para Oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Në rast shkelje të masës së sigurisë, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin në një masë shtrënguese.



