Anton Kooll Kaçubaj, zhvillues Start Up-esh në Londër dhe këshilltar fushatash, thotë se protesta ka për të zgjatur.
Ndërsa sot është dita e 34-ët e saj dhe nesër do të mbahet protesta kombëtare, Kaçubaj deklaroi për edicionin e lajmeve në MCN TV, se fakti që protesta nuk ka një krye, bën që të mos kapet nga askush.
Sipas tij, kjo është hera e parë në historinë shqiptare që në protestë janë bashkuar të gjithë, pasi thika i ka shkuar popullit në kockë.
Ka ardhur koha që tranzicioni i stërzgjatur të shformohet nga vetë populli. Shumica e këtyre njerëzve janë pinjollët e përfituesve të sistemit 80-vjeçar, pas luftës, bijtë dhe bijat e të cilave vazhdojnë edhe sot.
Diaspora po mundohet të luajë të njëjtin rol që ka luajtur diaspora gjithmonë, që nga rilindja kombëtare.
Mendoj se diaspora po kupton se ne duhet të paktën luksin e pakapshmërisë ta shfrytëzojmë dhe mendoj se në protestën e nesërme do të shihet dhe forca e diasporës, prandaj ka filluar dhe dhunën këto 2-3 ditë, sepse e sheh që laku po i shtrëngohet.
Mendoj se kjo protestë ka për të zgjatur, nuk ndryshohet një sistem për 30 ditë.
Nuk ndërrohet pushteti nesër, se zotëria e di se momentin që jep dorëheqjen ka vetëm një rrugë për të, që të shkojë në burg.
Dhe ai do luftojë për gjithçka, që të mos shkojë. Protesta nuk ka krye, nuk ka forca politike, ka shumë grupime politike, përfshi dhe të Ramës. Por fakti që nuk ka një krye, bën që kjo protestë të mos kapet nga asnjë.
Kjo është hera e parë në historinë shqiptare që aty janë bashkuar të gjithë, sepse popullit i ka arritur thika në asht. Një kokë që nuk është nuk mund të pritet.
Mendoj se njerëzit e kësaj lëvizje të merren me politikë. Por sot më e rëndësishmja është që protesta të mbahet në çdo cep të Shqipërisë.



