Alarmin për ikjen masive të të rinjve nga vendet e rajonit e dha në Tiranë edhe Majlinda Bregu. Si drejtuese e konferencës së 16-të rajonale për integrimin evropian, ajo raportoi mbi shifrat shqetësuese si nga Shqipëria, ashtu edhe nga vendet fqinje.
Majlinda Bregu: “Jemi në një presion të jashtëzakonshëm të zhvendosjes së popullsisë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Të paktën vetëm në pesë vitet e fundit, një e treta e popullsisë së rajonit është larguar nga vendet e tyre. 61% e të rinjve në rajon deklarojnë se janë pro integrimit europian të vendeve të tyre dhe shpresojnë që e ardhmja europiane e vendeve të tyre do të përmirësojë jetën dhe sigurisht do t’u ndryshojë faqen realitetit që jetojnë çdo ditë. Por ndërkohë po 61% e tyre janë gati që të largohen nga vendi në rast se kjo gjë nuk ndodh.”
Përfaqësuesi i mazhorancës, Taulant Balla, kritikoi Brukselin për zvarritjen e integrimit.
Taulant Balla: “Përgjegjësia për mosmarrjen e vendimit për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është tërësisht çështje e brendshme e Bashkimit Europian, madje e lidhur edhe me pasigurinë e ardhur si pasojë e këtij mosvendimi që duhet adresuar sa më parë. Kush është kundër Shengenit rajonal nuk e kupton aspak procesin e integrimit europian.”
Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, që pak muaj më parë fajësoi Holandën për gjendjen e kanabisit në Shqipëri tha se vendet e rajonit nuk duhet të shihen me sy skeptik nga ndërkombëtarët.
Gramoz Ruçi: “Rajoni ynë është një rajon europian dhe nuk ka pse konsiderohet prej disa udhëheqësve europianë si delja e zezë, por si një vlerë e shtuar në familjen europiane. Integrimi ynë europian e ka një model që mund dhe duhet ta ndjekë. Ai është integrimi i disa nga vendeve tona në Nato, por për fat të jkeq ende s’ka një perspektivë të qartë drejt BE-së.”
Shqipëria do të ketë një tjetër shans në muajin maj për çeljen e negociatave. Deri atëherë, vendi ynë duhet të ketë përmbyllur reformën zgjedhore dhe të ecë përpara me reformat e tjera.
Por sa besojnë të rinjtë se vendi i tyre mund t’u ofrojë një të ardhme më të mirë për karrierën dhe ambiciet e tyre? Të dhënat flasin për ikje masive të një brezi që kërkon të shkollohet dhe të punojë jashtë vendit. Arsyet sipas tyre janë nga më të ndryshmet.



