
Kryeministri Edi Rama ishte sot në qytetin e Shkodrës në kuadër të nismës ‘Bashkia që duam’. Në një bashkëbisedim me qytetarët shkodran, Rama premtoi se Partia Socialiste do të fitojë Shkodrën. Rama u shpreh se më 30 qershor do të mbahen zgjedhje dhe PS do fitojë Bashkinë Shkodër.
“Më datë 30 qershor do të ketë zgjedhje, kjo është e sigurt. Nuk e di nëse ata të opozitës do të kenë apo jo kandidatë, por jam i bindur se ne do ta fitojmë Shkodrën. Demokratëve të mërzitur iu them ‘kujdes se Flamuri mund t’jua djegë gomat’.
Nuk ka forcë që ndal verdiktin e popullit. Sigurisht që ne do të donim garë dha ta fitonim me garë Shkodrën. Por ne do ta marrim Shkodrën me çfarë do lloj forme demokratike, sepse kemi ekipin fitues. Kësaj opozite t’i vijë turp për atë që bën, duke sharë Shqipërinë nga mëngjesi deri në darkë”, deklaroi Rama nga Shkodra.
Rama gjatë këtij takimi, konfirmoi edhe kandidatin e PS për këtë qytet, i cili është Valdrin Pjetri. Pjetri më heret ka mbajtur postin e Prefektit dhe vazhdon të jetë kryetar i PS në Shkodër. Vetëm një ditë më parë Pjetri është emëruar në krye të hipotekës së Shkodrës.
‘Valdrini është një djalë shembullor, e kam njohur në hipotekë’, e prezentoi Rama.
Kryeministri Edi Rama në kuadër të turit “Bashkia që Duam” ka qenë i shoqëruar nga deputeti socialiste, Ditmir Bushati.
Ish-ministri i Jashtëm dhe aktualisht deputeti i PS-së, Ditmir Bushati në kuadër të turit “Bashkia që duam” nga Shkodra u shpreh se sot për sot qyteti verior ndodhet shumë larg “Shkodrës që duam”. Bushati “kritikoi” edhe partinë e tij, teksa tha se përgjegjësinë ekskluzive për këtë e ka PD, por edhe PS, ndërsa theksoi se edhe me rilindjen urbane nuk janë të kënaqur.
“ Shkodra që duam është shumë larg Shkodrës që është sot për sot. Këtu nuk diskutohet që përgjegjësinë ekskluzive e ka PD, por edhe ne kemi përgjegjësitë tona. Grupi i deputetëve, qeveria jonë, përfaqësuesit tanë në pushtet vendor në struktura të ndryshme. Nuk jemi të kënaqur me atë çka kemi bërë për Shkodrën me rilindjen urbane. Kosovës. Kemi bërë disa investime të tjera rreth e përqark, aty ku është përgjegjësia jonë. Por në çdo lagje dhe familje ndjej të njëjtën kërkesë. Nevojën dramatike për më shumë investime”, tha deputeti Bushati.



