
Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti rus, Vladimir Putin do të takohen gjatë kësaj jave në Japoni për herë të parë, prej kur marrëdhëniet mes dy shteteve janë tensionuar, si pasojë e helmimit të agjentit të dyfishtë, Sergei Skripal me agjent nervor, Noviçok, në Britani.
Takimi do të zhvillohet në kuadër të Samitit të G-20-s në Osaka. Megjithatë, zëdhënësi i May-s ka bërë të ditur se ky takim nuk nënkupton normalizim të marrëdhënieve.
“Ne mbesim të hapur për marrëdhënie më të mira, mirëpo vetëm nëse Rusia heq dorë nga aktivitetet që minojnë traktatet dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka thënë zëdhënësi britanik para gazetarëve.
Në Moskë, Yuri Ushakov, këshilltari i lartë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të mirëpriste një pikë kthese në marrëdhëniet me Britaninë.



