Tensionet në Veri/ Milo: Kurti vendosi amerikanët në pozitë të vështirë. Goditet marrëveshja e Ohrit, kthehet pas dialogu

Tensionet në Veri/ Milo: Kurti vendosi amerikanët në pozitë të vështirë. Goditet marrëveshja e Ohrit, kthehet pas dialogu

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo komentoi në edicionin e lajmeve në MCN Tv situatën e tensionuar të krijuar dje në Veri të Kosovës. Milo thekson se Kurti duke i hedhur “benzinë zjarrit” e kthen prapa procesin e mundimshëm të dialogut Kosovë-Serbi. Ai shtoi se veprimi i djeshëm është bërë në kundërshtim me frymën e dialogut që SHBA dhe BE po udhëheqin. Sipas Milos nuk do të ndodhte asgjë nëse kryetarët e komunave do vendoseshin në zyra të përkohshme, nga ku mund të kryenin punën dhe kësisoj s’do t’i jepnin asnjë shkas Serbisë.

Betimi u bë në datën 25, dhe dje u bë hyrja në zyrat e komunave nga kryetarët e zgjedhur. Hyrja u shoqërua nga policia përballë serbëve lokalë që mbanin të kontrolluar zyrat e komunave. Nuk kemi ndonjë element të ri të paparashikuar. Ishte tërhequr vëmendja që hyrja e kryetarëve të zgjedhur të komunave do shoqërohej me tensione dhe për të shmangur këto tensione u këshillua qeveria nga partnerët ndërkombëtar, SHBA dhe BE, që përkohësisht kryetarët e komunave të punonin në mjedise të tjera, në mënyrë që të mos kishte konflikt.

Mirëpo qeveria e Kosovës e gjykoi të arsyeshme të bënte atë veprim, të pakonsultuar me partnerët ndërkombëtar dhe është krijuar kjo situatë në Veri të Kosovës. Pyetja shtrohet, ku e gjen kryeministri Kurti kurajon, forcën, për të bërë një vendim të tillë në kundërshtim me këshillat e partnerëve ndërkombëtarë? E gjen te zbatimi i Kushtetutës së Kosovës, që ia jep të drejtën për të mbrojtur sovranitetin, por nga ana tjetër kemi një situatë të jashtëzakonshme, situatë krize, që duke i hedhur benzinë zjarrit e përkeqëson situatën dhe e kthen prapa procesin e mundimshëm për të vënë në vijë dialogun Kosovë-Serbi. Veprimi i djeshëm është bërë në kundërshtim me frymën e dialogut që SHBA dhe BE po udhëheqin. Ka bërë që të bëhen hapa prapa në proces. Mbi të gjitha ka bërë që Kosova dhe qeveria e saj, përtej të drejtës së ligjshme të ushtrimit të sovranitetit, ka krijuar një hendek dhe pakënaqësi, që u shpreh hapur dhe me terma të forta nga Sekretari Blinken dhe BE.

Amerikanët gjithnjë janë më të drejtpërdrejtë, sepse janë shteti më i fuqishëm, që kanë investuar shumë më tepër në Kosovë, në çlirimin, pavarësinë, stabilitetin e saj dhe kanë një të drejtë qoftë edhe morale që të shprehen hapur. Kurti jo për herë të parë bën veprime të pakonsultuara me SHBA-të, që i vendosin amerikanët në pozitë të vështirë përkundër procesit që ata po nxisin për arritjen e një marrëveshje. Me veprime të tilla të njëanshme, të faktit të kryer, nuk lihet hapësirë.

Kosova s’ka fuqi të përballojë Serbinë këtë e di edhe bufi, Kosova fuqinë e vet e ka te mbështetja ndërkombëtare. Situata atje është delikate, kështu ka qenë në këto 23 vite. Autoritetet e Prishtinës s’kanë ushtruar ndonjëherë sovranitet real në 4 komunat e Kosovës. Procesi që u iniciua, që u nxit me kaq forcë nga SHBA dhe BE, për t’i mbajtur të dy vendet në proces, për të mundësuar një marrëveshje, që do jetë një hap përpara dhe do ketë një orientim që të shkojë drejt një zgjidhje përfundimtare në të ardhmen.

Duke u bërë hapa të tillë mbrapa goditet marrëveshja e Ohrit, e cila thuajse s’po zbatohet. Por Prishtina s’duhet të jap shkasë dhe të kryejë veprime që mund ta akuzojnë që kontribuon në rritjen e presioneve. Çfarë do ndodhte nëse ata kryetarë komunash do shkonin në disa zyra të përkohshme. Mjafton të kryenin punën. Ata të fillonin aktivitetin në zyra të tjera që të mos jepnin shkas siç dhanë”.

Milo theksoi se qeveria e Kosovës duhet të dalë me propozim konkret për Asociacionin dhe zvarritja tregon që do të fitojë kohë.

Duhen parë zgjidhje në rrethana konkrete. Jo çdo formulë europiane mund të zbatohet në Veriun e Kosovës sepse do varet nga rrethanat. Qeveria e Kosovës të dalë me një propozim konkret. Zvarritja tregon se do të fitojë kohë. Por nuk fitohet kohë, problemi që është delikat, duhet të atakohet drejtpërdrejt dhe të gjendet zgjidhje. Por nuk u gjet një zgjidhje e pëlqyeshme nga dy palët për formën e Asociacionit nuk do ketë qetësi. Ndërhyrja me ushtri përjashtohet. Ajo do ndeshte përballë forcat e KFOR-it.

Serbia deri në këtë moment s’ka dëshmuar që mund të bëjë një budallallëk. Dialogu po, dialogu është në rrezik, thuajse është ndërprerë me veprime të tilla, sepse është bërë një akt që për mua ishte i panevojshëm të bëhej dje, dhe u jep shkas serbëve të thonë që nuk jemi ne përgjegjës, është qeveria e Kosovës që shkon me dhunë dhe kap zyrat, gjë që u vërtetua nga qëndrimi i perëndimorëve. Qeveria e Kosovës duhet të ruhet nga veprime të tilla, që në parim mund të ketë të drejtë, por në politikë jo gjithmonë një dhe një bëjnë dy”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy