Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në një takim ‘online’ që mbajti sot me vendet anëtare të BE-së në komisionet parlamentare u shpreh se është skeptike për hapjen e negociatave që këtë vit me Shqipërinë.
Sipas saj, situata me Maqedoninë e Veriut qëndron ndryshe, por duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Bullgarinë.
Kancelarja u kujdes të evidentonte se shpreson që këtë vit të mbajë konferencën ndërkombëtare me Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që saktësisht për Shqipërinë u shpreh:
“Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha kancelarja në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së, raport DW.
“Sa i përket Serbisë, ajo duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet e saj me Kosovën”, tha kancelarja.
Ajo ritheksoi edhe njëherë me këtë rast se ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE.



