Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për përplasjen mes ambasadorit amerikan, Donald Lu me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Në një konferencë për mediat kryeparlamentari ka mbajtur një qëndrim lidhur me akuzat e ambasadorit Lu se prokuroria ka shkelur ligjin, kishte kërkuar informacion shtesë nga ai.
"Prokuroria e Pergjithshme ka respektuar ligjin e miratuar nga Kuvendi lidhur me kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve nga prokuroria për KED-në. Me kërkesën time sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, ka kërkuar sqarime shtesë për vlerësimin e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme, për plotësimin e kritereve për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në përfundim sipas informacionit të përcjellë, asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme as në Kuvendin e Shqipërisë, as publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion për emërimet në drejtësi”, tha Meta.
Meta ka thënë edhe pse nuk është detyra e Kuvendit të Shqipërisë për të organizuar shortin e emërimeve, por të garantuar transparencë shorti u organizua në Kuvend. Meta po ashtu, tha se nga të dhënat duket se prokuroria ka zbatuar ligjin që ka miratuar Kuvendi.
Kreu i Kuvendit shtoi se, Prokurori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigje zyrtare, duke sqaruar se asnjë kandidat tjetër përveç tre emrave të dërguar nuk plotëson kriteret e vendosura nga Kuvendi për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të përbehet nga 9 anëtarë.
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu akuzoi dje se Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka shkelur Kushtetutën duke dërguar vetëm tre emra për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për tre pozicione. Meta theksoi se deri tani nuk ka asnjë ankesë se është përjashtuar nga lista për shkak të favorizimeve apo padrejtësive. Kreu i Kuvendit shtoi se, do të kërkohet informacion shtesë nëse Prokuroria mund të ketë bërë lëvizje për të penalizuar kandidatët që plotësonin kriteret. “Kemi kërkuar informacion shtesë për hir të transparencës në raport me publikun dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha Meta.
