
Nga Bloomberg
Më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve federale, Gjermania nuk ka ende qeverinë e re. Çuditërisht, ky mund të jetë më pak problem për Gjermaninë, e cila vijon të ketë ekonomi të fortë, sesa për BE-në. Zonës euro i duhen reforma dhe ato nuk mund të bëhen pa lidershipin e Gjermanisë.
Në një fjalim në mbrëmjen e Vitit të Ri, Merkel premtoi se do ta formojë qeverinë menjëherë. Por të thuash është shumë më e lehtë sesa ta bësh. Bisedmet mes kristiandemokratëve të Merkelit, Të Blertëve dhe Partisë Demokratike të Lirë dështuan në nëntor. Merkel që atëherë ka negociuar me socialdemokratët, por asnjëra parti nuk është e gatshme të ringjallë aleancën e mëparshme. Ato ndahen në disa çështje, përfshirë emigracionin dhe taksat.
Bisedimet e reja me socialdemokratët nisën në fundjavë. Me shpresën se do të kenë sukses, të dyja palët duhet të njohin nevojën për t’i bërë forcat e qendrës (tani nën kërcënim në Gjermani, si në vende të tjera) të suksesshme dhe popullore. Ka shanse që Merkelit do t’i duhet të drejtotë një administratë në minorancë apo të kërkojë zgjedhje të reja. Ndërkohë, mbështetja që ajo gëzon ka ndryshuar. Një sondazh i kryer së fundmi nxori se 46% e të pyeturve dëshironin që ajo të largohej menjëherë.
Në njëfarë mënyre, mungesa e nxitimit është e kuptueshme: Paraliza politike në Berlin nuk ka dhënë ende efekte negative në ekonominë gjermane. Rritja është e qëndrueshme dhe papunësia ka rënë në nivelet më të ulëta që nga viti 1990.
Edhe pjesa tjetër e eurozonës po i gëzohet një rimëkëmbjeje, që është përhapur së fundmi edhe në Portugali e Itali. Sidoqoftë, sistemi me një monedhë të vetme të përbashkët është ende me të meta dhe një krizë tjetër financiare mund të nxjerrë në pah dobësinë e saj. Në mënyrë të veçantë, asaj i mungon një sistem fiskal që mund të kanalizojnë burimet nga vendet që janë duke ecur më mirë në rrugën e rimëkëmbjes nga recesioni.
Ky problem është gjerësisht i njohur dhe Komisioni Europian ka paraqitur një plan për ta adresuar. Propozimet përfshijnë një mekanizëm të ri financiar për mbrojtjen nga “goditjet”. Në një fjalim vitin e kaluar, presidenti francez, Emanuel Macron, foli për plane për integrim më të madh fiskal. Asnjë prej këtyre ideve nuk mund të diskutohet seriozisht, e aq më pak të vihet në zbatim, përsa kohë Gjermania nuk ka ende një qeveri që funksionon me kapacitet të plotë. Për hir të saj, por më shumë shkak se problemet e mëdha të Europës duhen zgjidhur, Gjermania nuk duhet ta vonojë më dhe të krijojë menjëherë qeverinë e re.



