Nga Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi
Punonjësit e “Alitalia”-s (rreth 12 mijë) kanë hedhur poshtë me një referendum planin për rimëkëmbjen e kompanisë. Plani i hartuar nga aksionerët, me mbështetjen e bankave kreditore, sindikatave dhe qeverisë që u vu në lëvizje, mes të tjerash edhe për të vendosur një garanci publike prej 300 milionë eurosh për projektin e rivitalizimit të kompanisë, është qartësish amortizator social për punonjësit që do ta gjenin veten pa punë. Ky projekt siç shpjegoi Daniele Manca për “Corriere della Sera”, nuk ishte drakonian për punonjësit që, duhet thënë, nuk janë të vetmit përgjegjës për problemet. Është e qartë ajo se çfarë do të donin ata që votuan “jo” në referendum: “Alitalia” duhet kombëtarizuar, duke transferuar kështu edhe një herë koston e falimentimit mbi taksapaguesit.
Pa marrë parasysh faktin se “Alitalia” tashmë u ka kushtuar atyre plot 7.5 miliardë euro. Kjo duke filluar nga shitja që nuk u bë në vitin 2008 te Air France në emër të nacionalizmit të forcës së drejtuar nga Silvio Berlusconi. Nëse gjërat do të shkonin ndryshe, ndoshta sot nuk do të gjendeshim në këtë situatë. Por e shkuara nuk mund të ndryshohet. Nëse besojmë se “Alitalia” duhet dhe mund të mbahet në jetë, referendumi duhet lexuar ashtu siç është: thjesht një tregues. Aksionerët, kreditorët, grupi manaxhues dhe qeveri, nëse mendojnë se plani është efikas, duhet ta vënë në zbatim për motive që janë themelore edhe për funksionimin e demokracisë.
Vullneti i punonjësve të “Alitalia” është një shantazh ndaj komunitetit. Nëse mijëra qytetarë që deri tani kanë shijuar edhe privilegje dhe sidoqoftë kanë qenë të mbrojtur, mund të bllokojnë një projekt që i jep zgjidhje një problemi që, i drejtë apo i gabuar qoftë, prek benefitet dhe kostot e komunitetit, vetë thelbi i demokracisë i vuan pasojat.
Nëse ky plan bllokohet, “Alitalia”ose falimenton, ose shpëtohet nga taksapaguesit. Në të dyja rastet, kostot bien mbi ne. Por komunitetit nuk i kërkohet një mendim, ky u kërkohet vetëm 12 mijë punonjësve të “Alitalia”-s. Sigurisht, për çdo taksapagues, kostot e shtuara të “operacionit shpëtues” të radhës nuk do të ishin të larta, sepse numri i qytetarëve është i madh. Por “Alitalia” nuk është e vetmja kompani në vështirësi. Duke i detyruar qytetarët të paguajnë për të tilla “operacione shpëtimi” veçse shtohet pesha fiskale (e cila në fakt duhet të zvogëlohet për të nxitur rritjen), përveçse mbahen në këmbë sipërmarrje qartësisht jokonkurrente.
Ky është një problem që njihet si përfitimet e kufizuara apo kostoja e shpërndarë. Ndryshe, një kategori e vogël kërkon benefite (para të taksapaguesve) dhe duke ngulur këmbë, i drejtohet masës së shoqërisë me kërcënime për greva e referendume nëse këto kërkesa nuk i plotësohen.
Taksapaguesit janë shumë por jo të organizuar dhe nuk dinë t’i kundërpërgjigjen kësaj “ofensive”, merren masa që rrisin një taksë apo një tjetër për të financuar ndihmën ndaj një kategorie të vogël që në rastin në fjalë ofron shërbime në mënyrë joefikase, për shkak të krizës në të cilën ndodhet. Nëse grupe të vogla qytetarësh kanë mundësinë të marrin vendime për projekte që prekin interesin e përgjithshëm, demokracia bllokohet. Është e vërtetë që, nëse disa qytetarëve u kërkohen sakrifica për hir të komunitetit ose shoqërisë në tërësi, ata kompensohen. Por punonjësit e “Alitalia”-s janë kompensuar në të shkuarën dhe do të kompensohen sërish nëse plani zbatohet. Tashmë flitet për mbrojtjen e taksapaguesve dhe përdoruesve (klientëve), duke shmangur rezultatet e një ideje të keqe (përveçse për konkurrentët), që ia ka besuar fatet e “Alitalia”-s’ një referendumi.
/ Corriere della Sera / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



