
Pak pas arrestimit të Petrit Mamajt për vrasjen e bashkëshortes së tij, Valdete Mamaj, dalin detajet e para të krimit të ndodhur në Fier. 50-vjeçarja u raportua mëngjesin e sotëm se kishte vrarë veten me thikë, por vetëm pak orë më pas policia vuri në pranga të shoqin si autor të krimit.
Dëshmia e tij para uniformave blu ka zbardhur krimin e kryer në orët e para të ditës në dhomën e gjumit. Sipas dëshmisë së tij në polici, të cilës i referohet MCN TV, rreth orës 6:30, ai e ka goditur me thikë në zemër dhe ka dalë në lokalin e lagjes për të pirë kafenë. Pas 20 min është kthyer në banesë dhe për ta bërë më të besueshme sipas tij pretendimin e një vetë vrasjeje, e ka qëlluar përsëri me thika ne pjesë të tjera të trupit.
Më pas ka telefonuar vëllain, polic në Fier, se kërkon ndihmë pasi gruaja e tij ka qëlluar veten me thikë. Mbërritja e policisë në banesë dhe shenjat e gërricura nëpër duart e autorit të ngjarjes së bashku me deklarimet kontradiktore të tij, ngjallën dyshime te grupi hetimor se nuk ishte vetëvrasje, por një vrasje e paramenduar. Në ambientet e policisë autori pranoi krimin duke thënë se e kishte kryer për xhelozi.



