Partia Demokratike e konsideron një farsë procesin e sotëm zgjedhor. Kreu i PD-së,Lulzim Basha, në një konferencë për mediat tha se zgjedhjet e sotme provuan se nuk mund të mbahen të tilla me Edi Ramën kryeministër.
Basha tha se edhe pse një garë pa rivalë, procesi i sotëm u manipulua.
“Rezultate të paracaktuara, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të administratës, mbushje kutish, trysni ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 100 mijë janë kërcënuar. Në të vërtetë thuajse e gjithë pjesëmarrja e sotme është pjesëmarrje e rrogtarëve të shtetit të marrë nën kërcënim, siç e kemi dëgjuar nga përgjimet e “Bild””, tha ai.
Duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë, Basha tha se shumica e tyre refuzuan farsën e zgjedhjeve, duke i dhënë një mesazh qeverisë dhe botës.
“KQZ, kjo vegël e verbër e Edi Ramës shkeli Kushtetutën. Kjo tregon se regjimi i Edi Ramës manipulon edhe kur kandidon vetë, zgjedhjet sot treguan se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ju falenderoj që refuzuat farsën, ju e kuptuat se ajo vetëm do ta thellonte edhe më shumë padrejtësinë. Sot kumboi i qartë mesazhi i shqiptarëve. Të gjithë bashkë në këtë manifestim më të madhin kombëtar, me refuzimin që i bëtë kësaj farse ju treguat forcën përballë një regjimi në betejë për pushtetin e Edi Ramës”, tha ai.



