
Sindikatat në Itali kërkojnë një takim urgjent me qeverinë, për shkak të rrezikut të mbetjes pa mbrojtje sociale të punëtorëve të fabrikave që preken nga kriza.
Të përfshira nën termin amortizues socialë, një tërësi dispozitash normative kanë për qëllim mbështetjen me të ardhura të atyre që gjenden pa punë për arsye që nuk varen prej tyre.
Por sindikatat ngulin këmbë se rikonfirmimi i kësaj pakete duhet bërë me urgjencë, përndryshe mijëra punëtorë mund të mbeten pa asnjë përkrahje.
Konfederata e Sindikatave të Italisë (CISL) i ka kërkuar ministrit Luigi di Maio një tryezë bisedimesh për të diskutuar në lidhje me këtë çështje me prioritet absolut.
Sekretari i përgjithshëm i CISL, Luigi Sbarra, thotë se ekziston rreziku që situata të rëndohet në javët e ardhshme.
Skadimi i mbrojtjes sociale rrezikon mijëra punonjës të të gjithë sektorëve, të cilët për shkak të krizave që mund të kenë kompanitë, mund ta gjejnë veten të papunë dhe pa asnjë burim të ardhurash. Mes kësaj kategorie ka edhe shumë emigrantë shqiptarë.
Një nga sektorët që vuan pasojat e krizës është ai i mekanikës. Po ashtu, të rrezikuar janë edhe punonjësit e pastrimit në sektorin hekurudhor, të cilët sot janë në grevë në të gjithë Italinë.
Kufizimet e vendosura në vitin 2015
Paketa e masave që njihen si amortizues socialë është prezantuar në vitin 2015. Ato parashikojnë një limit prej 36 muajsh të mbrojtjes sociale në harkun e pesë viteve për ndërmarrjet e prekura nga kriza apo ato që shpallin falimentin. Kufizime të ngjashme janë futur në kontratat e solidaritetit.
Këto masa kanë për qëllim të mbrojnë punonjësit ndërkohë që vendi ka njohur recesion vitet e fundit. Gjatë fushatës së fundit elektorale, në lidhje me amortizatorët socialë pati propozime të reja. Lëvizja 5 Yjet, e cila është tani në qeveri, propozoi të ardhurat nga shtetësia, një masë që u bë pjesë e programit të qeverisë “Conte”.



