
Ndihma humanitare për Gazën pasi të kalojë kufirin midis Egjiptit dhe territorit palestinez, do të duhet të jetë “substanciale”, në rendin e 100 kamionëve në ditë dhe duhet të jetë e sigurt, tha Martin Griffiths, koordinator i OKB-së për çështjet humanitare, në CNN Europe.
Ai shtoi se do të duhet të ketë negociata tepër të detajuara me palët për të përcaktuar se si do të futet dhe shpërndahet ndihma.
Fjalimi u mbajt vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte marrë garanci nga qeveria izraelite se do të lejonte kalimin e ndihmave humanitare përmes vendkalimit Rafah.
“Ne duhet të kemi besimin se mund të ndërhyjmë në një shkallë të gjerë çdo ditë, në mënyrë të përsëritur dhe të besueshme”, deklaroi Griffiths, duke shpjeguar se personeli i OKB-së me bazë në Rripin e Gazës, duke përfshirë 14.000 punonjës të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), do të të jetë në gjendje të shpërndajë nevojat e ndryshme themelore.
“Ne duhet të jemi në gjendje t’i arrijmë njerëzit në mënyrë të sigurt,” këmbënguli ai, duke nënvizuar se e drejta ndërkombëtare humanitare kërkon që organizatat e ndihmës të ofrojnë ndihmë aty ku njerëzit ndihen të sigurt.
Këto dy aspekte duhet të sqarohen dhe të konfirmohen dhe shpresoj që kjo të ndodhë në ditët në vijim, që të fillojmë këtë program ndihme thelbësore.
Griffiths ka qenë në Kajro që nga e marta për të negociuar me autoritetet egjiptiane.
Për ditë të tëra, sasi të mëdha ndihmash janë bllokuar në shkretëtirën Sinai të Egjiptit, ndërsa Rafah është mbyllur në anën palestineze pas katër bombardimeve këtë javë.
“Izraeli nuk do të pengojë dërgimin e ndihmave humanitare nga Egjipti, përderisa ato janë ushqime, ujë dhe ilaçe për popullatën civile në Rripin jugor të Gazës”, konfirmoi një deklaratë nga zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Griffiths theksoi se Kombet e Bashkuara do të sigurojnë që ndihma të shkojë vetëm për civilët dhe jo për lëvizjen islamike Hamas, e cila kontrollon Gazën.



